Brahim Sykja, Hilmi Lala, Sabaudin Hoxha e Leonard Kola, kanë udhëtuar gjithë natën nga Shkodra për në Kakavijë për të pritur mikun, kolegun dhe shokun e tyre- Agim Tafilin që vinte nga Greqia tashmë jo në biçikletë por për fat të keq në arkivol. Hidhërimi tek ata duket qartë. Kanë humbur legjendën e sportit, që ata e kishin shok dhe ndjejnë një boshllëk jo të vogël. Brahim Sykja, njeriu që ka pedaluar vite e vite të tëra përkrah tij duke formuar treshen e famshme shkodrane edhe me Sytki Tafilin, thotë se ka humbur jo kolegun por vëllanë e tij.
“S’ka fjalë për të thanë se dhimbja është e madhe. Kemi qenë si vëllezër, normalisht në mendjen time s’ka për t’u hequr kurrë dhe do mundohem gjithë jetën për ta kujtuar si një vëlla, si një mik. si një shok. Pjesën më të bukur të rinisë e kemi kaluar bashkë, pas asnjë lloj problem, kemi qenë bashkë kemi ndarë të mirat dhe të këqijat, gëzimet, mërzitjet, mendimet I kemi bërë gjithmonë bashkë. Kemi qenë si vëllezër”-thotë mjeshtri Sykja. Të njëjtin mendim ndajnë edhe dy ish-kolegët e tij tek Vllaznia Sabaudin Hoxha dhe Leonard Kola. “Kjo është një humbje për gjithë Shqipërinë. Ka qenë një sportist I jashtëzakonshëm, një djalë me norma dhe një familjar I rregullt. Ai na ka dhënë lamtumirën por rron dhe do rrojë në zemrat tonë përjetë”-thotë Hoxha ndërsa Kola shton: “Kemi mbetur të shokuar, pa fjalë kur kemi marrë vesh këtë lajm shumë të hidhur. Kjo është një humbje e madhe për sportin shkodran dhe në veçanti çiklizmin sepse zor se I vjen ma çiklizmit shqiptar një sportist I tillë”.
www.shkodrasport.com
Ne foto treshja e famshme e çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar, Agim Tafili, Sytki Tafili dhe Brahim Sykja.