Në një intervistë për “Milannews.it”, Ariedo Braida, ish-drejtori legjendar sportiv i Milanit gjatë epokës së artë të Berlusconit, analizoi momentin e vështirë të kuqezinjve:

“Kur gjërat shkojnë mirë, duket sikur gjithçka do të vazhdojë të ecë për mrekulli dhe nuk do të ketë kohë të vështira. Por pastaj papritur gjërat ndalojnë së funksionuari. Në futboll krizat vijnë papritur, është e vështirë të kuptosh se çfarë po ndodh. Kjo është pikërisht ajo që po i ndodh Milanit në këtë moment”.

Të gjithë janë nën akuzë; nga pronarët, te drejtuesit e deri te lojtarët…
Ka shumë aspekte që duhen marrë në konsideratë, jo vetëm një. Për momentin, Milanit i mungon një identitet i qartë. Jam milanist dhe vuaj, nuk dua të kritikoj, por duhet rikrijuar një grup me ndjenjën e përkatësisë. Mund të duket diçka e thjeshtë, por në fakt është diçka thelbësore. Nëse nuk ke vlera të caktuara, gjithçka shpërbëhet.

Në këtë rast iu referoheni drejtuesve apo skuadrës?
I referohem gjithë ambientit, nga maja e piramidës e deri te baza. Milani ka histori të madhe, një të kaluar të lavdishme. Pas Real Madridit, është skuadra që ka fituar më shumë Champions League. Duhet kuptuar pesha e kësaj fanelle, përgjegjësia që vjen me përfaqësimin e këtij klubi. Milani i madh e ndërtoi suksesin e tij mbi ndjenjën e përkatësisë dhe një identitet të qartë.

Vetëm një vit më parë Milani përfundoi i dyti…
Krizat vijnë gjithmonë, tek të gjithë. Shikoni Manchester City. Dallimi qëndron tek aftësia për të gjetur zgjidhjet. Në këtë aspekt, Milanit i mungon përvoja e nevojshme. Përvoja nuk është gjithçka, por është shumë e rëndësishme dhe nuk mund të blihet.

Ibrahimovic dhe Moncada kanë nevojë për një figurë me përvojë pranë tyre…
Pas disa vitesh do të jenë më të aftë se tani, por duhet të kuptojnë se çfarë është Milani. Gabime bëjmë të gjithë, por duhet të kesh edhe talentin për të kuptuar se kush mund të luajë apo jo në ‘San Siro’.

A po i referoheni dikujt në veçanti?
Nuk përmend emra, nuk është e drejtë, por ‘San Siro’ nuk është për të gjithë. Ka lojtarë që nuk kanë talentin apo klasin për të luajtur aty. Duhet të dish të dallosh cilët lojtarë mund ta përballojnë këtë skenë dhe cilët jo.

Përmendët identitetin, shumë besojnë se problemi kryesor ishte largimi i Paolo Maldinit…
Maldini është një figurë që mungon dhe kjo është për të ardhur keq. Ai ka shkruar historinë e këtij klubi dhe mishëron kulturën milaniste. Ky është çelësi: nevojiten njerëz që kanë kulturën e Milanit. Njerëz si ai, që mund ta përcjellin këtë ndjenjë përmes përvojës, përkatësisë dhe gjithçkaje që kanë kontribuar për ngjyrat kuqezi.