Brazili ruajti kreun e grupit në eliminatoret e Katar 2022 për zonën e Amerikës së Jugut, pasi regjistroi fitoren e 4-t radhazi. Pa Neymar Seleçao iu fal dysesh Arthur-Richarlison që realizuan 2 gola në pjesën e parë për t’i dhënë fitoren 0-2 Brazilit në transfertën ndaj Uruguait.
Përfaqësuesja çeleste ishte e privuar nga mungesa e sulmuesit të saj kryesor Luis Suarez i cili rezultoi pozitiv me koronavirus, ndërkohë që edhe Edinson Cavani e la në baltë Uruguain teksa u ndëshkua me karton të kuq, 20 minuta para fundit të sfidës, me skuadrën e Oscar Tabarez që pësoi humbjen e 2-të në 4 takime.
U rikthye menjeherë te suksesi edhe Argjentina që fitoi 0-2 në transfertën e Perusë duke u ngjitur në kuotën e 10 pikëve, në vendin e 2-të, 2 më pak se Brazili kryesues. Golat për Argjentinën u realizuan nga Gonzales dhe Lautaro Martinez në pjesën e parë.
Vazhdon forma e shkëlqyer e Ekuadorit që regjistroi një fitore tenistike me shifrat 6-1 ndaj Kolumbisë, në një ndeshje ku për vendasit realizuan 6 autorë të ndryshëm, ndërkohë që goli me penallti i James Rodriguez vlejti thjeshtë për statistika.
Arturo Vidal nuk i mjaftoi Kilit këtë herë, sepse pavarsisht golit të mesfushorit të Interit skuadra 3 trajnerit Rueda u mposht 2-1 nga Venezuela që shënoi 2 gola me Mago dhe Rondon. U mbyll në barazim 2-2 sfida tjetër e raundit tē 4-t mes Paraguait dhe Bolivisë.