Kombëtarja e Brazilit ka fituar në shtëpi 2-1 ndaj Kolumbisë në ndeshjen e vlefshme kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Selecao ka marrë një fitore të madhe pas dy barazimeve në ndeshjet kualifikuese, fitore e cila e afron edhe më shumë me kualifikimin në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë krejtësisht të barabartë nga të dyja ekipet, të cilat përveç disa rasteve, shënuan edhe nga një gol.Të parët në epërsi kaluan brazilianët me anë të Raphinhas (6’), i cili shënoi nga penalltia për 1-0, ndërsa Luis Diaz (41’) dërgoi ekipet në pushim me barazim 1-1.
Në pjesën e dytë, vendasit ishin skuadër më e mirë, më kërkuese, krijuan më shumë dhe në fund shënuan edhe golin e fitores. Vinicius Junior (90+9) ishte heroi i brazilianëve pasi shënoi një gol të bukur nga distanca për t’ia dhuruar fitoren kombëtares së tij me rezultat 2-1.
Pas kësaj fitore, Brazili e sheh veten në vendin e dytë me 21 pikë apo katër më pak se Argjentina e para, ndërsa Kolumbia renditet e gjashta me 19 pikë. Në ndeshjen e ardhshme pas pesë ditësh, Brazili luan në udhëtim te Argjentina, teksa Kolumbia e pret Paraguain. /Telegrafi/