Brazili ka kaluar pa shumë vështirësi Serbinë duke përfunduar fazën e grupeve në vend të parë.
skuadra e Tite-s ka triumfuar me rezultatin 2-0 dhe tani do të ndeshet me Meksikën në 1/8-at.
Tite nuk kishte bërë asnjë ndryshim nga ndeshja e fundit, por detyrohet të bëjë zëvendësimin e parë që në fillim të ndeshjes pas dëmtimit të Marcelo.
Akoma nuk dihet se sa i rëndë është dëmtimi i mbrojtësit të Real Madrid, por nëse nuk do të kthehej më do të ishte një goditje e rëndë për brazilianët.
Gjithsesi ishte Paulinho ai që zhbllokoi rezultatin me një gol të bukur që erdhi nga një pasim po aq i bukur i Coutinho-s.
Pas pushimit ishin serbët ata që ushtruan presion por Thiago Silva vrau ndeshjen me goditjen e tij me kokë pas goditjes së këndit.
Ndërkohë në ndeshjen tjetër, Zvicra e qetë me rezultatin e Brazilit, ka barazuar 2-2 me Kosta Rikën.
Ishin zviceranët ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Dzemaili-t dhe atë moment u duk sikur mund të kishte më shumë gola nga europianët, por Kosta Rika barazon pas pushimit me Waston.
Dy golat e tjerë janë shënuar në fund të takimit nga Drmic dhe Ruiz. Zvicra arrin një kualifikim të merituar dhe do të ndeshet me Suedinë në 1/8-at.