Ceremonia e ndarjes së “Topit të Artë” ka shkaktuar debat të madh qysh ditën e djeshme, çka premton të jetë prezente edhe në ditët në vijim. Kurorëzimi i Rodrit si lojtari më i mirë i vitit 2024, i zgjedhur nga “France Football”, u mbështet nga disa, si dhe u kritikua ashpër nga të tjerë, të cilët nuk mund ta kuptonin vendin e dytë të Vinicius Junior.
Në veçanti në Brazil, atdheun e sulmuesit të Real Madridit, është rritur indinjata dhe reagimi i mediave e protagonistëve të futbollit. Pas Militaos, bashkatdhetarit dhe bashkëlojtarit të tij te “Los Blancos”, legjenda e futbollit të femrave, Marta shprehu gjithashtu mendimin e saj për këtë çështje:
“Kam pritur gjatë gjithë vitit të shoh Vinicius Jr. të kurorëzohej si lojtari më i mirë në botë dhe tani na del dikush tjetër. Unë nuk e di çfarë lloji i ‘Topit të Artë’ është ky… Personalisht ndihem krenare të them se jam në anën tuaj, Vinicius, ju admiroj dhe inkurajoj të bëni më shumë. Për mua je më i miri, edhe nëse të tjerët thonë se nuk je!”
Ka nga ato media braziliane që kanë bërë akuza shumë më të rënda, si për shembull “Globoesporte”. Gazetarja Ana Thaís e komentoi vendin e dytë të Vinicius për “Topin e Artë” si vijon: “Unë nuk mund të mos e shoh çështjen e Vini Jr si racore. Ky është skandal për mua.
Është një çmim europian, 100 gazetarë nga e gjithë bota votojnë për të, por nuk mund të mos bëj lidhjen me çështjen racore. ‘Topi i Artë’ është një mënyrë tjetër për ta dënuar sulmuesin brazilian mbi pozicionin e tij luftarak për çështjet racore, si brenda dhe jashtë fushës”./telesport/