Me largimin e Veselit dhe Ahmetajt, tek Egnatia lirohen dy vende, që klubi duhet t’i plotësojë. Dhe njërin prej tyre do ta zërë dikush që e njeh mirë këtë skuadër, braziliani Fernando.

Trajneri Tetova ka pohuar se ai është një opsion për merkaton, ndërkohë që vetë lojtari ka mbyllur aventurën e tij në Azerbajxhan, ku kaloi në verë.

Fernando ndodhet në Shqipëri dhe rikthimi i tij me fanellën e kampionëve është çështje thuajse e mbyllur. Kështu kampionët fitojnë garën me Partizanin, që po ashtu ishte një opsion.

Fernando ishte një nga titullarët kyç të rrogozhinasve vitin e kaluar, kur kjo skuadër fitoi titullin për herë të parë në histori, si dhe Kupën e Shqipërisë. Me Egnatian mund të bashkohet edhe një brazilian tjetër, Rodolfo Tito de Moraesh, por për këtë të fundit gjithçka mbetet për t’u parë.