Ka shënuar edhe në Lezhë dhe kësisoj Vllaznia falë edhe golave të tij është në krye të renditjes në kategorinë e parë. Braziliani Silvio Rodrigues Pereira Junior po e bën si duhet detyrën e tij, atë të shënimit të golave.

E ka bërë deri tani pesë herë, katër në kampionat dhe një në kupë. Një mesatare shumë e kënaqshme prej 1 goli në 101 minuta lojë. Shkodranët duket se kanë gjetur sulmuesin e duhur.

Në fakt, Zhunior vërtetë shënon por edhe humbet jo pak raste. I humbi edhe dje ku të paktën duhej ta kishte dërguar topin në rrjetë në 2-3 raste të tjera dhe ndërkohë shënon atëherë kur nuk e mendon.

Por 24 vjeçari ka edhe diçka tjetër shumë të mirë: Shërben edhe për shokët e ekipit. E bëri edhe ndaj Besëlidhjes kur ka nxjerrë në pozicione të volitshme shënimi Bilalin dhe Ruqin.

Të mos harrojmë se forma fizike e brazilianit nuk është ende ajo më e mira. Çka do të thotë se në të ardhmen mund të presim gjëra edhe më të mira prej tij.

Statistikat e Silvio Rodrigues Pereira Junior me Vllazninë:

Kupa
Burreli- Vllaznia 80 minuta lojë/ goli ’48
Vllaznia- Burreli 77 minuta lojë/ –

Kampionat
Vllaznia- Korabi 82 minuta lojë/ goli ’73
Burreli- Vllaznia 90 minuta lojë/ goli ’90
Vllaznia- Dinamo 88 minuta lojë/ goli ’84
Beselidhja- Vllaznia 88 minuta lojë/ goli ’53

Totali: 505 minuta lojë/ 5 gola
Një gol në 101 minuta