Vetëm 56 minuta ka zgjatur miqësorja e sotme ndaj Kastriotit dhe kjo nuk i ka dhënë mundësi të shohë të gjithë kontigjentin e lojtarëve që ka patur në dispozicion, megjithatë trajneri Thomas Brdariç është shfaqur i kënaqur me atë çfarë prodhoi Vllaznia në këtë ndeshje.

Në një prononcim të dhënë pas ndeshjes për mediat, ai është shprehur: “Jam i kënaqur me lojën e zhvilluar në 45 minutat e para sepse çdo gjë që kemi përgatitur në stërvitje, e kemi provuar në këtë ndeshje dhe na ka shkuar mirë. Po punojmë fort dhe po ecim përpara.

Ne presim edhe lojtarë të tjerë si përforcim, por nuk dua të merrem shumë me këtë çështje sepse është edhe mungesë respekti për këto lojtarët që kemi aktualisht në skuadër. Patjetër që ne e kërkojmë një sulmues të mirëfilltë në majë të tij, po punojmë për ta sjellë dhe besoj se do ta kemi atë.

Kampionati po afron dhe ne po bëhemi gati për startin e tij. Kuptohet që koha nuk flet shumë në favorin tonë sepse jemi në mesin e përgatitjeve dhe përpos kësaj, çdo ditë na vjen një lojtar i ri në stërvitje që do kohën e vet të përshtatet me idetë e mia. Ne po punojmë dhe shpresojmë të jemi gati në kohë”.

Ndeshja miqësore Kastrioti- Vllaznia nuk është luajtur deri në fund. Ajo është ndërprerë në minutën e 56-të pasi në fushë ka ndodhur një dëmtim i rëndë i futbollistit të Kastriotit Gjini i cili pas një përplasje me Smajlin e Vllaznisë ka thyer këmbën.Si rrjedhojë e kësaj, të dy stafet e të dy ekipeve njëzëri vendosën që ndeshja të mos vazhdonte më.

Si rrjedhojë e këtij dëmtimi, rezultati i ndeshjes në fakt nuk vlen shumë, megjithatë duhet thënë se Vllaznia deri në momentin e ndërprerjes së ndeshjes po udhëhiqte me rezultatin 1-0, me golin e shenuar nga braziliani Victor da Silva ne minutën e 44-të.
www.shkodrasport.com