Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia do të luajë këtë të dielë ndaj Elbasanit në transfertë ndeshjen e rradhës për kampionat dhe objektivi i saj padyshim që do të jetë fitorja. Trajneri Thomas Brdariç në konferencën për shtyp u shpreh se e vlerëson Elbasanin, por nga ana tjetër deklaroi se do të luftojnë fort që Vllaznia të marrë tre pikët e rradhës.

“E kemi përgatitur ekipin për këtë ndeshje. Kemi lënë pas ndeshjen e kaluar. E kemi analizuar dhe kemi marrë disa mësime të mira. Në ndeshjen ndaj Elbasanit do mundohemi të bëjmë sa më mirë. Duhet të jemi të përqendruar gjatë 90-minutave, pasi futbolli është i paparashikueshëm.

Jemi ekip i fortë, por nuk duhet t’i lejojmë kundërshtarit hapësira, për të mos na ndodhur siç na ndodhi me Dinamon. Ajo nuk do ndodhë më herë të tjera. Elbasani është një ekip me eksperiencë dhe duhet të jemi sa më të kujdesshëm. Do të jetë një sfidë e bukur, sepse janë dy skuadra me traditë si Vllaznia, ashtu edhe Elbasani, por ne do të shkojmë vetëm për të marrë tre pikë.

I kënaqur me barazimin? Le ta shohim çfarë do të ndodhë gjatë 90-minutave. Kryesorja është që të vazhdojmë të mbajmë atë ritëm loje që kemi patur në ndeshjet e fundit. Kemi shënuar dhe jemi mbrojtur mirë, por e rëndësishme është që ne të jemi një ekip sa më i vështirë për Elbasanin.”

Brdariç tha se Kahrimanoviç mund ta nisë nga fillimi, ndërsa komentoi edhe ftesën nga Kombëtarja U-21 për sulmuesin e Vllaznisë, Kevin Dodaj.

“Kahrimanoviç mund të jetë opsion për ta nisur nga fillimi. Ai është gati. E kemi afruar për të qenë i rëndësishëm dhe në ndeshjen ndaj Elbasanit, mund të jetë një futbollist kryesor për ne dhe shpresoj që të na japin diçka pozitive.

Ftesa e Dodajt në Kombëtare? I uroj Dodajt sa më shumë minuta si në ndeshjen ndaj Elbasanit, por edhe me Kombëtaren U-21. Është gjë e mirë kur një futbollist i yni është i grumbulluar me Kombëtaren, sepse tregon poashtu edhe arritjet tona, por besoj që po të shohim të kaluarën, kemi arritur t’i menaxhojmë mirë të rinjtë, siç ju e keni parë edhe më përpara. Gjithsesi, futbollistët e rinj duhet të mësohen të jenë sa më profesionistë.”

Ndeshja midis Elbasanit dhe Vllaznisë do të luhet këtë të dielë në “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:00, për llogari të javës së tetë të “Abissnet Superiore”./www.shkodrasport.com/