Tomas Brdariç i ka idetë të qarta në prag të ndeshjes ndaj Partizanit, që do të luhet të dielën në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, trajneri gjerman theksoi se skuadra e tij është gati për të vazhduar serinë e fitoreve në kampionat.

Kreu i pankinës komentoi edhe largimin e përkohshëm të sulmuesit Ismael Dunga, i cili për probleme me dokumentacionin, ka udhëtuar drejt vendit të tij, Kenia, dhe do t’i mungojë skuadrës në të paktën tri ndeshje. Brdariç foli për herë të parë edhe për blerjen e bujshme të verës, Kristofer Mandiangu, i cili nuk ka debutuar ende në kampionat me fanellën kuqeblu dhe mund të jetë largimi i parë në muajin janar.

Tomas, si është situata në skuadër para ndeshjes me Partizanin dhe sa jua prish planet largimi i Ismael Dungës?

Asgjë nuk ka ndryshuar. Thjesht na duhet që të zëvendësojmë Dungën për pak kohë.

A e keni ditur më parë problemin që kishte sulmuesi apo jeni informuar nga klubi vetëm gjatë ditëve të fundit?

Po, të gjithë e kanë ditur për situatën e tij. Shikoni, ne jemi të huaj dhe kemi nevojë për dokumentet e duhura. Pra, janë procedura normale dhe nuk ka këtu ndonjë gjë të jashtëzakonshme.

Vllaznia ka bërë një paraqitje fantastike në këto 7 javë. E prisnit të ishit në krye apo është surprizë edhe për ju kjo renditje?

Ne besojmë shumë në atë që bëjmë dhe jemi duke punuar fort. Nuk mendojmë asgjë më tepër, thjesht jemi në krye për atë që kemi bërë në fushë.


Të dielën do të prisni Partizanin, një ekip që në sezonet e fundit shpesh ka marrë rezultate pozitive në Shkodër. Çfarë prisni nga ky takim dhe a besoni se do të arrini një tjetër fitore?

Ne luajmë në këtë fazë ndeshjen e parë kundër tyre, kështu që do të bëjmë më të mirën tonë. Nuk na intereson e kaluara, ne duam të tregojmë një paraqitje të mirë dhe të fitojmë.

Si është e vërteta me Kristofer Mandiangun, një lojtar i ardhur me bujë në Shkodër, por që as nuk po grumbullohet nga ju?

Mandiangu është një djalë shumë i pafat. Unë i uroj gjithë të mirat. Ai po bën shumë përpjekje për të qenë me ekipin, por shëndeti i tij duhet të përmirësohet për të ndihmuar skuadrën në vijim.