Futbolli po sheh të zhvillohen dy kompeticionet më të rëndësishme për kombëtare. Në Europë, 24 më të mirat duelojnë mes tyre për të nxjerrë në fund kampionen e kontinentit, ndërsa në Amerikën Latine, Brazili po organizon kompeticionin për dhjetë përfaqësueset më të mira.
Po në Shqipëri çfarë impakti ka Europiani, tek ata që duelojnë në elitën e futbollit shqiptar? “Panorama Sport”, me anë të një sondazhi ka kërkuar nga nëntë trajnerët e Kategorisë Superiore, se për cilin ekip bëjnë tifo në Europian si dhe arsyen pse po e mbështesin atë skuadër.
Nga trajneri Martini i Teutës kampione, te Magani dhe Shkëmbi, të cilët me Egnatian dhe Dinamon rikthehen në elitë si trajnerë të dy skuadrave që vijnë nga Kategoria e Parë. Kukësi është momentalisht pa një timonier. Gazeta, për kortezi ka bërë të njëjtën pyetje edhe te njëri prej trajnerëve, i cili në karrierën e tij ka luajtur me një prej kombëtareve me peshë që i jep ton futbollit europian: Gjermania. Ky është Tomas Brdariç.
EDI MARTINI – Brazili
Në Shkodër Gjermania është si fe, mirëpo përjashtim nga ky rregull duket se bën trajneri Edi Martini. Tekniku kampion në fuqi, ka dhënë një opinion interesant referuar zgjedhjes që bën këtë verë, teksa luhen dy kompeticione të rëndësishme për kombëtare, në dy kontinente të ndryshme:
“Të them të drejtën nuk bëj tifo me askënd në Europianin që po zhvillohet aktualisht. Sinqerisht, nuk shikoj asnjë ndeshje. Nëse jeni kuriozë për këtë, mund t’ju them që këto ditë që po luhet Europiani, unë bëj tifo për Brazilin në volejboll si për meshkuj dhe femra”, është përgjigjur Martini, shkodrani në krye të Teutës.
TOMAS BRDARIÇ – Gjermania
Tetë ndeshje dhe një gol me fanellën e Gjermanisë, janë mjaftueshëm arsye për Brdariçin që të jetë jo vetëm një ish, por edhe tifoz me “Pancerat”. Gazeta i ka drejtuar të njëjtën pyetje si të gjithë trajnerëve të tjerë, edhe atij të Vllaznisë, mirëpo në këmbim nuk është marrë një përgjigje, normalisht duke nënkuptuar skuadrën me të cilën ka qenë pjesë në periudhën 2002-2005, duke luajtur tetë ndeshje dhe duke shënuar një gol, krahas 12 ndeshjeve dhe 3 golave me ekipin U-21 të Gjermanisë.