Eliminimi nga Kupa la një shije jo të mirë te Vllaznia. Me shkodranët që u mposhtën në gjysmëfinale nga Dinamo në shifrat 4-3. Kuqeblutë në këtë mënyrë i “lanë hesapet” me njërin prej trofeve dhe kompeticioneve të këtij edicioni.

Para zhvillimit të duelit me dinamovitët, ishin optimistë dhe besimplotë se skuadra do t’i shkonte në fund të dyja kompeticioneve. Futbolli nuk është asnjëherë një matematikë apo shkencë ekzakte. E tashmë forcat e 9 herë kampionëve të vendit përqendrohen vetëm në Superiore. Të njëjtën gjë theksoi edhe trajneri i Vllaznisë, në përfundim të takimit me Dinamon. Thomas Brdariç u shpreh: “Një eliminim dhe disfatë e tillë ‘djeg’ dhe një nga objektivat sezonalë tashmë u humb”.

Në fjalët e tij gjermani theksoi se ekipi duhet të nxjerrë mësime dhe të përmirësojë detaje për duelet e ardhshme në kampionat. Po ashtu, i pyetur se nëse Vllaznia nuk fiton asnjë trofe këtë edicion, a do jetë ky një sezon i dështuar për kuqeblutë, gjermani tha: “Ekipi ka ende një objektiv të hapur. Dhe ai është fitimi i kampionatit”. Ish-futbollisiti i Leverkusen-it u shpreh besimplotë në forcat e skuadrës së tij.

Dhe duket se realisht vetëm fitimi i kampionatit mund të “shpëtojë” sezonin e Vllaznisë. Me kuqeblutë që nuk mund të kënaqen në fund të këtij edicioni vetëm me pjesëmarrjen në kupat e Europës, ndërsa titulli kampion është shndërruar në një “fiksim” prej disa sezonesh. E titulli i fundit i fituar në vitin 2001 duket një kujtim shumë i largët për një skuadër si Vllaznia. Por a do ia dalin shkodranët dhe Brdariç të shpëtojnë sezonin në fund? Për këtë duhet të presim 3 ndeshjet e radhës.