Ndeshja ne mes Vllaznise dhe Teutes ka qene me e rendesishmja e javes se 13-te te Kategorise Superiore dhe ka dhuruar edhe shume emocione. “Panorama Sport” ka evidentuar disa nga gjerat me pikante te saj.
* Shiu i vazhdueshëm që ka afro 15 ditë që vazhdon në Shkodër nuk ka ndikuar në cilësinë e fushës së stadiumit “Loro Boriçi”. Gjatë gjithë ndeshjes reshjet kanë qenë të pranishme, por ajo që ra në sy ishte një vijëzim i fushës jo i zakonshëm. Në vend të vizimit të bardhë, drejtuesit e stadiumit vendosën të rikthejnë tallashin e famshëm. Në këtë mënyrë, vetëm një orë para ndeshjes ata vijëzuan fushën me pluhur druri, sidomos tek zona e 16 metrave.
* Lojtarët e Vllaznisë bënë vetëm 20 minuta nxehmje para startit të takimit, ndërsa durrsakët qëndrua në fushë për 32 minuta.
* Grupimi i tifozëve kuqeblu, “Power 12”, ka mbështetur ekipin nga një kënd i stadiumit, prej ku kishte mundësi edhe të ndiqnin sadopak ndeshje. Ovacionet e tyre janë dëgjuar jo pak në stadium.
* Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, ka përdorur një çadër gjatë gjithë ndeshjes si mburojë për t’u mos u lagur. Në momentin kur shënoi Hoxhaj, gjermani e flaku çadrën dhe festoi si i çmendur. Ndërsa Edi Martini i Teutës kishte vendosur në kokë kapuçin e xhupit.
* I pari që u ndëshkua me kartonin e verdhë në përballjen me Teutën ishte Isaevski, i cili në ndeshjen e parë në Durrës mori të kuq. Si për koincidencë, edhe këtë herë u trembën në staf për maqedonasin, i cili u ruajt jo pak gjatë ndeshjes. Por, gjithsesi sërish shkodranët nuk i shpëtuan të kuqit, pasi u ndëshkua Ardit Hoxhaj. Dhe si për ironi të fatit, të dyja herët kur Vllaznia ka mbetur me 10 lojtarë, kanë qenë në ndeshjet ndaj Teutës këtë kampionat.
* Shkakton irritim ndërprerja e ndeshjes pas një aksioni premtues të Vllaznisë në fundin e pjesës së parë. Arbitri Cjapi nuk kishte dhënë minuta shtesë dhe sapo u plotësua 45-minutëshi vërshëlleu. Në këtë moment trajneri Brdariç u pa shumë i acaruar, ndërsa lojtarët kuqeblu i tregonin kryesorit orën elektronike të stadiumit.
* Atmosferë elektrizuese në dhomën e zhveshjes së ekipit shkodran pas ndeshjes së djeshme, duke filluar nga kryebashkiakja Ademi, të gjithë drejtuesit e tjerë dhe lojtarët. Në dalje të stadiumit lojtarët janë pritur si heronj nga qindra tifozë. Trajneri Brdariç dhe golashënuesi Ardit Hoxhaj janë pritur me ovacione. Në qytet, tifozët kanë shëtitur me makina duke festuar sikur Vllaznia dje të kishte fituar titullin.