Që prej së dielës Vllaznia është duke u përgatitur në Zllatibor të Serbisë dhe gjendja e futbollistëve deri më tani duket shumë e mirë. Ndonëse deri më tani janë vetëm tre lojtarë të rinj në skuadër dhe tre të tjerë në provë, stafi teknik mesa duket është duke i bërë planet për ndeshjet e “Conference League” me kontigjentin e futbollistëve që ka në dispozicion.

Që do të thotë se me një apo dy përjashtime, në fushë ndaj Shiroki Brijeg në ndeshjen e parë do të jetë thuajse e njëjta skuadër që mbylli sezonin e kaluar. Drejtuesit e klubit ndërkohë janë duke punuar fort në merkato për të gjetur edhe ndonjë lojtar tjetër, megjithatë tashmë duket se nuk ka më shumë kohë prandaj Brdariç fokusin e ka të përqendruar tek futbollistët që ka në stërvitje.

Për ndeshjen e datës 8 korrik në Brijeg, pritet që të jenë të pranishëm edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh shkodranë që do të mbështesin Vllazninë në këtë rikthim në skenën europiane pas plot 10 vitesh.

Objektivi padyshim që do të jetë marrja e një rezultati sa më të mirë, për t’i hapur rrugë kualifikimit një javë më vonë në Shkodër. Megjithatë kjo nuk do të jetë e lehtë sepse edhe kundërshtari ka të njëjtin objektiv.

Madje, ditët e fundit Shiroki Brijeg është përforcuar me të tjerë lojtarë cilësorë sepse kërkon suksesin ndaj nënkampiones së Shqipërisë. Megjithatë Vllaznia duket më e etur për sukses sepse mezi e ka pritur pjesmarrjen në Europë dhe synimet e saj janë shumë ambicioze./SHKODRA-SPORT.COM/