Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, u shfaq i lumtur për barazimin që skuadra e tij arriti në shtëpi ndaj Tiranës. Në prononcimin e dhënë menjëherë pas ndeshjes për mikrofonin e “RTSH”, tekniku i shkodranëve, ndër të tjera u shpreh:

“E nisëm shumë keq. Disa momente që ndodhën akoma nuk jam duke i kuptuar. Dështojë mënyra taktike si donim të ndërtonim lojën dhe më pas gjërat fillojnë dhe ngatërrohen. Patëm fat në fillim, pas disa mundësive të Tiranës.

Kur filluam të bënim futboll më të mirë, atëherë pësuam golin. Bëmë disa ndryshime, futëm Krymin në vend të Gurishtës. E merituam golin që shënuam. Patëm më shumë avantazh në opinionin tim, në momentin jo të duhur pësuam golin e dytë. Me besimin dhe moralin që kemi, arritëm të kthehemi në lojë pas 2 disavantazheve. Tiranë është ekip i madh, në fund një barazim është një rezultat i mirë.

Qato është lojtarë i mirë. Patëm në fillim dy të verdha. Ishte problem që mund të humbisnim një lojtar. Ishin zgjedhje taktike. Në këto ndeshje nuk doja të fusja lojtarë të rinj. Preferova lojtarë me eksperiencë.

Falenderoj tifozët që krijuan një atmosferë të mirë. Një pikë është ok në një ndeshje të fortë. Në qoftë se do më pyesnit më përpara për 4 pikë në 2 ndeshjet e para ndaj ekipeve të kryeqytetit, do kisha firmosur”, u shpreh Brdariç.