Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç, u shpreh i keqardhur për humbjen 1-0 që skuadra e tij pësoi në transfertë ndaj Skënderbeut. Në prononcimin e dhënë për “RTSH”, tekniku i skuadrës shkodrane u shpreh:
“Së parë, jam krenar për lojtarët e mi. I falenderoj sepse luajnë gjatë gjithë lojës me karton të kuq. Nuk e kam parë golin, nuk e di a është pozicion jashtë loje. Në fund të ditës ne luftuam gjatë gjithë ndeshjes.
Duhet ta pranojmë golin, gjatë gjithë lojës kemi bërë një mbrojtje të mirë. Në momentin e pësimit të golit, nuk ishim shumë të vëmendshëm. Ai ishte momenti i vetëm ku vëmendja nuk ishte e duhura.
Mbas kartonit të kuq, provuam të mbyllnim hapësirat. Fusha nuk na la të luanim. Edhe për Skënderbeun ishte e njëjta gjë. Na vjen keq, që dolëm të humbur nga kjo betejë. Lojtarët luftuan deri në fund.
99% të lojës bëmë një mbrojtje shumë të mirë, vetëm 1% gabuam. Bismark ishte një lojtar shumë i mirë, njëherë që iu dha mundësia, shënoi. Këtë gjë duhet të kishim bërë edhe ne”, u shpreh Brdariç.