Tomas Brdariç krenohet me Vllazninë e tij. Dhe një ish-sulmues si ai nuk ka si të mos u gëzohet golave. Vazhdimisht ka kërkuar diçka më tepër nga ofensiva dhe e para ndeshje zyrtare i dha atë që ka pritur gjatë gjithë fazës përgatitore.

Trajneri e ka të qartë se kjo përballje nuk është prova e vërtetë, madje hapur e tha gjatë deklaratës së dhënë pas fitores me Devollin, ishte parapërgatitje për Apoloninë.

“Ishte fillim i mirë për ne. Zhvilluam një lojë me mjaft volum, por edhe shënuam shumë gola. Morëm një fitore të pastër. E kishim marrë shumë seriozisht këtë takim dhe si rrjedhojë ishte lojë bindëse e për më tepër shënuam shumë gola.

Kam luajtur si sulmues në karrierën time dhe më pëlqen që skuadra të shënojë sa më shumë. Tani pres që të ruajmë këtë ritëm edhe në kampionat.

Përballja e Kupës së Shqipërisë ishte si një lloj parapërgatitjeje për atë që kemi të mërkurën me Apoloninë. Unë jam i kënaqur nga skuadra dhe nëse do të tregojmë të tilla lojëra në vazhdim, atëherë pse të mos kemi edhe ne pretendimet tona?!

Duhet thënë se kualitete kemi, por është vetëm fillimi… Unë kam 20 lojtarë në dispozicion dhe kjo më pëlqen, pasi do të luajë ai që e meriton dhe konkurrenca është e madhe. Duhet që të vazhdojmë në të njëjtin nivel dhe për më tepër me të njëjtin cilësi loje”, përfundoi gjermani i stolit të kuqebluve.