Nga Endri ÇINARI

Vllaznia ka vijuar me përgatitjet stërvitore për ndeshjen e rradhës kundër Egnatias. Shkodranët do përballen ditën e mërkurë me rrogozhinasit, me duelin që vlen për javën e katërt të Superiores. Me sfidën që do mbahet në orën 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Dhe që pritet të ngjallë interes për futbolldashësit.

Por para ndeshjes me kampionët në fuqi të vendit, ajo që shqetëson tek Vllaznia janë dëmtimet e futbollistëve. I fundit që pësoi një ndalesë ishte Ardit Deliu. Mesfushori i ardhur nga Tirana në këtë merkato verore u dëmtua në miqësoren e së shtunës kundër Otrant. Dhe do qëndrojë jashtë fushave për 1 muaj. Por kavajasi nuk është i vetmi i dëmtuar në rradhët e shkodranëve.

Kjo pasi ende po pritet rikthimi i Grudes dhe Kahrimanoviç. Futbollistë këta të cilët nuk kanë luajtur asnjë minutë këtë edicion për shkak të dëmtimeve. Së fundmi me ekipin është bashkuar Melos Bajrami, mbrojtësi i cili po ashtu në kampionat ende nuk ka marrë minuta. Sepse ka qenë i ndalur në infermieri që nga ndeshja e kthimit me Valur në Conference League.

Po ashtu më parë kanë vuajtur dëmtime të lehta edhe Krymi dhe Yago. Duke e bërë pak shqetësusese gjendjen fizike të lojtarëve kuqeblu në këtë fillim sezoni. E kjo patjetër që ia ka vështirësuar punët disi trajnerit Brdaric. I cili ende nuk e ka pasur asnjëherë grupin e plotë në nisjen e këtij sezoni të Superiores./www.shkodrasport.com/