Vllaznia do të luajë nesër në Korçë ndaj Skënderbeut në kuadrin e javës së dytë të kampionatit dhe objektivi i saj do të jetë padiskutim fitorja.
Një gjë të tillë e ka deklaruar në një prononcim të dhënë për mediat trajneri Thomas Brdariç i cili nuk ka dëshirë të flasë fare për barazim, por nga ana tjetër u ka bërë të ditur të gjithë kundërshtarëve se do ta kenë të vështirë ta mundin skuadrën që ai drejton. Ja përgjigjet e teknikut kuqeblu…
-Mister, si duket atmosfera në skuadër në prag të ndeshjes me Skënderbeun?
Ne kemi principet tona të punës dhe bazuar në to, do të shkojmë në Korçë për të bërë një ndeshje të mirë, për të luftuar fort në fushë dhe jemi të ndërgjegjshëm që nuk do të marrim asgjë nëse presim që gjërat të vijnë nga ajri.
-Skuadra ka zhvilluar edhe seancën e fundit para nisjes për në Korçë. A është gati për këtë sfidë?
Jemi 100 për qind gati për sfidën e rradhës me Skënderbeun. Kemi nxjerrë mësimet e duhura nga ndeshja me Apolonisë dhe tashmë do të nisim një kapitull të ri.
-Në ndeshjet e fundit po luani me të njëjtin formacion. Do të jetë i njëit edhe nesër?
Ne jemi një skuadër dhe kemi në dispozicion 20 e sa lojtarë. Sigurisht që në fushë do të zbresin 11 por secili do të ketë shanset e veta.
-Vllaznia do të ketë objektiv fitoren edhe këtë ndeshje?
E vlerësojmë Skënderbeun, por kemi synimet tona, synime që i bazojmë tek forca e ekipit dhe tek puna. Kjo nuk do të thotë se e marrim me lehtësi këtë ndeshje, por duhet të adaptohemi përballë çdo kundërshtari dhe padyshim që do të jetë një sfidë aspak e lehtë. Unë nuk mendoj për barazim, mendoj për trepikëshin e rradhës dhe kjo është e mjaftueshme.
-Por nëse në përfundim të kësaj ndeshje do fiksohet një rezultat i barabartë, do të ishit i kënaqur?
Nuk preferoj të flas se çfarë do të ndodhë pas ndeshjes, Unë jam i sigurtë për faktin se çdo kundërshtar do ta ketë shumë të vështirë të na mundi ne.