Vllaznia luan nesër me Partizanin në “Loro Boriçi”. Sfida e orës 16:00 vlen për javën e 26 të Superligës, ndërsa përpara saj ka folur trajneri i vendasve. Thomas Brdaric e ka cilësuar kundërshtarin si skuadrën më të fortë në Superligë, ndërsa ka konfirmuar mungesat e Imamit dhe gjendjen jo në 100 përqind të Da Silvës.
“Kthimi në fushë dhe Partizani? Luajmë ndaj një kundërshtari shumë të fortë, ne e kemi vëmendjen kryesore te Partizani. Në fillim e kam thënë se është një garë e gjatë papushim. Kampionati nisi me vonesë dhe ne u përgatitëm. Edhe kjo pauzë na bëri të marrim energji, duke dashur të rikuperojmë ndeshjet e dobëta që kemi bërë. Kemi dashur edhe të rikuperojmë lojtarët.
Keni thënë se keni 2 skuadra, por mungesat kanë bërë të vetën – Është një proces i gjatë për të kthyer lojtarët në formën më të mirë. Disa lojtarë nuk kanë qenë prej dëmtimeve apo kartonave, por është një gjë që ndodh. Nesër do jetë një ndeshje e fortë dhe do hedhim në fushë 11 lojtarë. Kruja do luajë në vendin e Gurishtës. Kemi lojtarë që të plotësojmë formacionin. Nuk kanë rëndësi emrat, mjafton të më tregojnë në stërvitje se përse do jenë në fushë.
Imami? Është kthyer në stërvitje por ka sërish një dëmtim dhe nuk është në 100 përqind. Them se ka nevojë për më shumë pushim që të jetë gati për ne, nuk do luajë nesër.
E kam studiuar shumë mirë Superligën dhe e njoh çdo skuadër. Partizani është ndër skuadrat më të forta dhe kanë aftësi të mëdha teknike. Ndeshja është e përgatitur për të marrë maksimumin.
Da Silva? Do hedhim në fushë 11 lojtarë. Victor është një lojtar shumë i mirë që na ndihmon. Do shohim si do shkojë ndeshja nesër dhe do vendosim si do luajmë, me ose pa të. Ka bërë vetëm dy seanca stërvitore dhe nuk është në formë për nesër.
Vllaznia – Laçi në Kupë? Sa për shortin më gëzon fakti që do luajmë në shtëpi. E dimë që është I fortë por secili që është në këtë fazë është I rrezikshëm. Pas Partizanit do mendojmë për këtë takim.
Licencimi e motivon skuadrën? Duhet të qëndrojmë te performance jonë dhe mos mendojmë çfarë ndodh rrotull. Të kemi mendjen në fushë sepse Albani dhe Voltana po merren me këtë çështje. I falenderoj shumë, por të kemi mendjen në fushë. Është lajm I mirë licencimi në Europë por s’më takon të flas, kjo është gjë me vlerë për Shkodrën dhe futbollin”, tha Brdaric.