16 blerjet e bëra nga Vllaznia e këtij sezoni kanë krijuar idenë e krijimit të një skuadre me të huaj, megjithatë trajneri Brdariç ka shpjeguar se lojtarët e ardhur kanë qenë një detyrim pasi kontigjenti aktual i skuadrës nuk ka bindur aq sa duhet.

Gjatë prononcimit të tij në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa, numri 1 i pankinës së Vllaznisë ka folur edhe për çështjen e futbollistëve të rinj shkodranë.

I pyetur nëse ka evidentuar elementë cilësorë nga ekipi U19 dhe ai U21, të cilët i ka thirrur herëpashere në stërvitje me ekipin e parë, trajneri Brdariç është shprehur:

“Jam në dijeni që nga Vllaznia gjithmonë kanë dalë lojtarë të rinj e të mirë, por po ashtu jam në dijeni se shumë prej tyre, e kanë lënë tashmë atë dhe një veprim i tillë ka nervozuar tifozërinë shkodrane, por kjo është diçka që duhet bërë hap pas hapi.

Mendoj se është shumë e rëndësishme që ata lojtarë të cilët kanë të ardhme, të vëzhgohen dhe të tregohet një kujdes i veçantë. Duhet t’u tregojmë një rrugë që duhet të ndjekin në mënyrë që ata të ndjehen konfortë dhe të qetë në rrugën e tyre për t’i shërbyer Vllaznisë në të ardhmen, por kjo kërkon shumë e shumë gjëra”- ka thënë tekniku gjerman.

I pyetur nëse është një trajner që e pëlqen punën me të rinjtë apo kërkon lojtarë me përvojë në skuadër, gjermano- kroati është përgjigjur: “Për mua ka lojtarë që janë të gatshëm për të luajtur në Superligë, apo nuk janë gati për të luajtur në Superligë.

Për mua nuk ka rëndësi nëse një futbollist është 16 apo 36 vjeç. Unë dua të kem në dispozicion lojtarë që janë të gatshëm t’i futen një beteje sepse çdo ndeshje në vetvete është një betejë, qoftë kjo edhe psikologjike. Prandaj unë si trajner jam në gjendje të dalloj nëse këta lojtarë janë të gatshëm për t’i hyrë betejës dhe për ta përballuar deri në fund, apo nuk janë të tillë”.

I ngacmuar më tej nëse ka ndonjë lojtar të ri që ka pikasur për të ardhmen e Vllaznisë, Brdariç u shpreh: “Po kam vërë re disa prej tyre dhe madje i kemi afruar edhe pranë skuadrës në stërvitjet e saj dhe do të bëj çmos që të vazhdojmë t’i afrojmë ata sepse është e rëndësishme të krijojmë një strukturë të tillë që skuadra të ketë një bazë me lojtarë shkodranë.

Unë nuk kam ardhur këtu për të sjellë të huaj, por ju premtoj se do të angazhojmë sa më shumë lojtarë të rinj të Vllaznisë. Por kjo gjë kërkon një seri kushtet për plotësimin e kërkesave të tyre për rritjen sa më mirë nga ana profesionale”./SHKODRA-SPORT.COM/