Ka fituar një kupë me Flamurtarin, por ka qenë fare i ri në moshë dhe jo protagonist. Ashtu si dhe ka luajtur në Evropë me Luftëtarin. Por, Dejvi Bregu ka “orkes” dhe tashmë që është 23-vjeç dhe në kulmin e karrierës, kërkon akoma më shumë nga vetja. Në një prononcim që ka dhënë për “Supersport”, mesfushori me tipare sulmuese i skuadrës së Skënderbeut ka pohuar: “Do ta gjykoja mire këtë periudhë në aspektin personal, edhe pse kam kërkuar gjithmonë më shumë nga vetja. Rëndësi ka kolektivi. Me erdhi keq që e mbyllëm vitin në këtë mënyrë, edhe pse e nisëm mirë. Besoj se do të rikthehemi shpejt aty ku na takon”.
Lideri
I ka dhënë pikë të rëndësishme skuadrës me golat që ka shënuar. Por edhe atëherë kur nuk ka shënuar ka qenë ndër më të mirët në fushë. Megjithatë, Bregu thotë se nuk është momenti që ai të jetë lider, aq më tepër që në skuadër ka lojtarë me më shumë eksperiencë. “Nuk është se po kërkoj të jem lider, sepse ky rol u shkon më shumë lojtarëve me eksperiencë si: Radas, Vangjeli apo Muzaka. Ne të tjerët vijmë nga pas. Këta janë shembujt që duhet të ndjekim për të qenë të suksesshëm”.
Merkato
“Përforcimet i kërkojnë klubi dhe trajneri, nuk jam unë ai që mund të jap mendim se ku dhe si duhet të përforcohemi. Sigurisht që përforcimet gjithmonë janë të nevojshme në një skuadër”,-tha ndër të tjera vlonjati 23-vjeçar.
Objektivat
“Nuk jam i kënaqur me pjesëmarrjen në Europë, unë kërkoj titullin dhe besoj se i gjithë klubi dëshiron ta fitojë trofeun e kampionit. Asgjë nuk është e pamundur. Kemi përpara edhe gjysmë sezoni, duhet të shtrëngojmë “dhëmbët” dhe të shohim përpara për të qenë aty ku na takon, në krye të Superiores”, – tha në fund Dejvi Bregu, mjaft optimist për të ardhmen e tij dhe skuadrës korçare./vipsport/