Jemi mësuar që kur përmendet sporti i mundjes, atë ta personifikojmë me emrin e Dedë Bregut, njeriut që po mundohet ta mbajë gjallë këtë sport gjithë këto vitet e fundit. Për rrjedhojë edhe suksesin e mundjes shkodrane në kampionatin e fundit mbarëkombëtar që u zhvillua në Tiranë ku ekipi i Vllaznisë u rendit i treti dhe nxorri një kampion si individ, ia “faturuam” pikërisht mjeshtrit Bregu. Megjithatë është ky i fundit, si gjithnjë shumë modest, që nuk dëshiron ta marrë për vete atë sukses por ia lë atë njeriut që po merret me ekipin e të rinjve, Nazmi Elezit.
Duke folur për gazetën online shkodrasport.com, Dedë Bregu do të thoshte: “Paraqitja e ekipit tonë në kampionatin mbarëkombëtar që u zhvillua në Tiranë vjen pas punës shumë të mirë që ka bërë trajneri i ekipit të të rinjve të Vllaznisë Nazmi Elezi. Ai ka qenë një ish- mundësi i imi që tashmë po jep kontributin e tij si trajner. Ai ka ofruar pranë ekipit shumë të rinj që kanë elementë të mirë dhe dëshirën për t’u bërë mundës prandaj dhe thashë që suksesi në kampionatin e fundit në Tiranë i shkon pikërisht atij”. Nga ana tjetër, trajneri Bregu vlerëson së tepërmi edhe paraqitjen që ka bërë një mundës- Qamil Bajrami i cili ka arritur të mundë sportistin më të mirë të Kosovës dhe ka zënë vendin e dytë në peshën e tij.
www.shkodrasport.com