Merkatoja e janarit mund të sjellë ndryshime tek Vllaznia. Ka lojtarë që mund t’i bashkohen kësaj skuadre dhe të tjerë që mund të largohen. Kështu, siç kemi bërë të ditur, në stërvitje prej pak ditësh me kuqeblutë është edhe mbrojtësi shkodran Senad Hysenaj i cili siç dihet një vit më parë firmosi me Partizanin.
Ai mund të luajë në vazhdim të sezonit me kuqeblutë dhe nëse ndodh kjo, kuptohet që mund të largohet një tjetër mbrojtës i majtë. Bëhet fjalë për 19 vjeçarin Brendon Smajli.
Ai nuk ka patur hapësirë në ekipin e parë të Vllaznisë në gjysmën e parë të kampionatit dhe për pasojë më shumë ka luajtur me ekipin “B”. Por tani pritet që t’i bashkohet Veleçikut.
Prej 2-3 ditësh është vënë nën urdhërat e trajnerit Besnik Duli dhe në vijim do të mësohet më shumë në lidhje me këtë transferim. Me shumë të ngjarë, lojtari do të huazohet tek koplikasit por gjithsesi duhet pritur.
Vetë Smajli mesa duket e pëlqen një transferim të tillë sepse do ketë më shumë hapësirë për të luajtur tek Veleçiku.
© shkodrasport.com