Ecuria e Vllaznia U17 në këtë kampionat ka patur oshilacionet e veta dhe për këtë arsye ky ekip aktualisht renditet në mesin e tabelës së klasifikimit. Trajneri Brikano Bizi duke folur për “Shkodra Sport” e shpjegon në këtë mënyrë atë çfarë po ndodh me ekipin që drejton:

“Shumica e ekipit është e datëlindjes 2003 e cila po e përballon si duhet kampionatin, por kuptohet është një ngarkesë e madhe për ta.

Grupi i lojtarëve i datëlindjes 2001 që ka qenë vjet pjesë e tij, ka kaluar i gjithi tek U19 dhe kjo ka krijuar njëfarë problemi sepse skuadra nuk ka një bosht, të paktën prej katër-pesë lojtarësh me pak më shumë përvojë.

Shumica kanë ardhur nga ekipe amatore dhe e kanë pak të vështirë të ingranohen me mentalitetin e profesionalizmit”. Ndërkohë i pyetur në lidhje me pretendimet që do të ketë Vllaznia U17 në vazhdim të kampionatit, trajneri Bizi përgjigjet:

“Kampionati është shumë i fortë, janë 5-6 skuadra që luftojnë për dy vendet e para që shkojnë në play-off. Kuptohet që Vllaznia do të bëjë më të mirën e saj për të arritur objektivin që ka.

Synojmë rikuperimin e disa lojtarëve që kemi patur të dëmtuar dhe më pas të shohim. Sigurisht që pikësynimi ynë nuk është medoemos fitimi i titullit kampion por t’i mësojmë këta të rinj të luajnë bukur futboll me njohuritë e anës profesionale, por natyrisht që edhe pa rezultate nuk ka as sport. Ne do të mundohemi ta bëjmë garën të bukur deri në fund”.
© shkodrasport.com