Ish-mesfushori i Vllaznisë, Brikeno Bizi, u ka bërë një analizë 10 javëve të mbetura të kampionatit, duke u shprehur se Vllaznia nuk do të rrezikojë rënien nga elita.

Për “Panorama Sport”, ai komenton edhe ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut.

Si e shikoni situatën, në të cilën ndodhet Vllaznia?

Mund të them se situata nuk është e mirë. Një fitore të ngjit lart dhe një humbje të bën të jesh i rrezikuar deri në fund.

Mendoj se një situatë e tillë do të jetë deri në fund të këtij sezoni, ku gara për mbijetesë do të jetë e hapur.

Pavarësisht situatës, unë besoj dhe shpresoj se Vllaznia nuk do të jetë ekipi që do të shoqërojë Lushnjën për të rënë nga kategoria.

Përpara është një takim delikat ndaj Skënderbeut…

Mund të them se është një nga takimet ku luhet gjithçka për gjithçka. Për mendimin tim është një ndeshje ku nuk vlen asnjë rezultat tjetër veç fitores për ekipin tonë.

Skënderbeu është skuadra më e mirë e kampionatit, por mendoj se dënimi që i ka dhënë sot (dje) UEFA, duhet që të shfrytëzohet mirë nga ana jonë, pasi për mendimin tim, korçarët deri në fund të sezonit do të jenë me motivim të ulët.

Fitimi i titullit kampion e po ashtu edhe i Kupës së Shqipërisë nuk do të kenë asnjë vlerë nëse skuadra nuk ka të drejtë të marrë pjesë në kompeticionet Europiane.

Mendoni se do të ndikojnë mungesat që kuqeblutë kanë në formacion?

Është e vërtetë që Vllaznia ka shumë mungesa në këtë takim, por nga çfarë kam mësuar edhe Skënderbeu nuk ka më pak.

Janë shumë lojtarë të rëndësishëm që do t’i mungojnë kësaj skuadre, prandaj duhet që një gjë e tillë të jetë në favor të ekipit tonë.

Është një dëshirë kjo apo e bazoni te loja që po tregon skuadra?

Mendoj se ekipi ka një fytyrë të re në këtë pjesë të dytë të sezonit. Skuadra po luan më me dinjitet. Po luan një futboll të mirë dhe po merr edhe rezultate.

Mendoj se ngërçin psikologjik që ka pasur, e ka lënë pas. Kjo shihet në sigurinë që po tregon nga takimi në takim.

Nëse luan dhe ka besim si në këto takimet e fundit, atëherë mbijetesa as që do të diskutohet. Por duhet që të kemi edhe fatin me vete.

Ndikojnë aleancat mes klubeve në këtë fundkampionati?

Do të jenë pjesë e pandarë e kë- tyre javëve. Por, gjithsesi, unë do të thosha që nuk duhet që të shikojmë çfarë do të bëjnë të tjerët, ne do të shikojmë punën tonë.

Ne të bëjmë mirë detyrat tona të shfrytëzojmë kalendarin dhe pastaj të tjerët të bëjnë çfarë të duan.

Kush mendon se do të jetë skuadra që rrezikon rënien bashkë me Lushnjën?

Janë tri ekipe, duke përfshirë edhe Vllazninë, pavarësisht se për ekipin tonë është gjëja e fundit që mendoj.

Shoh të rrezikuar Teutën dhe po ashtu edhe Kamzën. Por nëse do të ketë një vendim edhe nga FSHF, mund të jetë e Skënderbeu, i cili pas atij dënimi që mori, të shoqërojë Lushnjën në një kategori më poshtë.