Besëlidhja është duke mbyllur javën e parë të përgatitjeve verore. As e enjtja nuk ka sjellë surpriza në merkato, ndërsa zyrtarisht afrimi i vetëm mbetet kurbinasi Florian Trokthi.Edhe pse klubi synon që të përforcohet me 6 futbollistë, deri më tani kanë bindur vetëm 1.

Situata nuk duket fort premtuese, por Alban Bruka nuk dorëzohet. Ai beson se do të sigurojnë të duhurit dhe do të jenë gati për të përballuar me sukses sezonin, i cili pritet që të jetë një ndër më të fortët në historinë e Kategorisë së Parë.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri qartëson edhe një herë objektivin. Ngjitja mbetet i vetmi mision, ndonëse “lufta” do të jetë e ashpër.

“Po mbyllim javën e parë të stërvitjes. Ka shkuar mirë, ndonëse organika nuk është ende e plotë. Vjet rrezikuam vërtet shumë, duke ndërtuar një Besëlidhje të re që në themel.E megjithatë, fituam. Sot që flasim, boshtin e kemi gati dhe më solid. Na duhet vetëm meremetimi i tij.

Besoj se nga e hëna e tutje, do të shtohemi. Do të kemi emra të rinj dhe me eksperiencë që do t’i bashkohen ekipit. Kemi kontakte me shumë futbollistë cilësorë dhe me ndonjërin jemi afër akordit.

Shpresoj që javën tjetër t’i mbyllim llogaritë me ta. Gjatë këtyre katër-pesë ditëve të para të grumbullimit jam i kënaqur me formën fizike të futbollistëve dhe kjo është mjaft pozitive.

Besëlidhja, përveç objektivit për t’u ngjitur në Superiore, nuk mund të ketë tjetër alternativë. Duke e ditur se Kategoria e Parë është plotësuar me tri ekipe historike dhe me shumicën e trofeve kombëtarë, nuk do të jetë e lehtë, por jo e pamundur për një ekip luftarak.

Ndaj po punojmë fort dhe me kujdes të madh si fillim në merkato dhe më pas në stërvitje për ndërtimin e një Besëlidhje me të vërtetë konkurrente”, përfundoi numri një i pankinës lezhjane.