Fitorja 2-3 në fushën e Vllaznisë e certifikoi Dinamon si një kandidate potenciale jo vetëm për 4-shen e parë, por edhe për titullin kampion.
Blutë treguan diferencë të madhe ndaj një rivali direkt, madje në fushën e tij, pavarësisht se rezultati përfundimtar shkoi në 2-3, duke sjellë edhe ndonjë drithërimë te dinamovitët.
Kapiteni Bruno Dita, duke folur pas ndeshjes në “Loro Boriçi” për “Panorama Sport”, theksoi se suksesi në këtë transfertë ishte shumë i rëndësishëm për skuadrën. Si një lider i 18 herë kampionëve të vendit, Dita u shpreh se ekipi duhet të qëndrojë me “këmbë në tokë”, pasi ka një tur force deri në përfundimin të këtij viti kalendarik.
“Them se ishte një fitore plotësisht e merituar në fushën e një rivali të fortë, siç është Vllaznia. I shkaktuam humbjen e parë në shtëpi dhe kjo besoj se duhet vlerësuar. Dominimi ishte i dukshëm, nuk ka nevojë të flasim shumë, por nuk duhet të kënaqemi me kaq, sepse kemi disa ndeshje përpara dhe duhet të vijmë gjithmonë në rritje.
Dhe po të mendosh që kishim mungesa të rëndësishme, si Mandela, Bregu e të tjerë, ajo fitore merr më shumë vlera. Përveç 3 golave që shënuam, krijuam edhe shumë raste, që duhej t’i shfrytëzonim më mirë, pse jo si me Elbasanin. Përderisa rastet i krijojmë, duhet të shënojmë sa më shumë gola”, tha Dita.