Tri gola si zëvendësues! Kjo ndodh rrallë në futboll, por sulmuesi brazilian i Vllaznisë, Bruno Gomesh, arriti që të shënojë tri herë pas aktivizimit në minutën e 84-t.

Teksa realizoi në kohën shtesë kundër Erzenit 3 gola, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 27-vjeçari që erdhi te Vllaznia pas eksperiencës në Portugali me Nacional, dikur ish-ekipi i Ronaldos, tregon për momentin që po kalon në Shkodër, si dhe për faktin që nuk preferohet si titullar.

Ai mendon se mund të jetë një sulmues fiks për formacionin e Vllaznisë, por respekton zgjedhjet e trajnerit Qatip Osmani, i cili në vendin e tij ka preferuar Bekim Balajn, i cili është golashënuesi më i mirë. Gomesh flet edhe për jetën në Shkodër dhe çfarë i ka bërë përshtypje në këtë periudhë, teksa zbulon se është në pritje të një fëmije.

Bruno, u fute si zëvendësues dhe shënove tre gola kundër Erzenit. A ju ka ndodhur kjo më parë në karrierën tuaj?

Unë kam shënuar dy gola kundër klubeve të mëdha në Portugali si Benfika dhe Sporting Lisbona, por si profesionist ishte hera e parë që shënova tre gola brenda një ndeshjeje dhe për më tepër si zëvendësues.

Si e shikoni garën për titullin kampion dhe cili nga rivalët mendoni se është më i forti?

Është ende një garë e gjatë, ku në fund ka edhe një “Final 4”. Duhet të vazhdojmë të punojmë, duke dashur gjithmonë të fitojmë gjithnjë e më shumë, por me këmbë në tokë. Të gjithë rivalët janë të fortë dhe të aftë për të qenë kampionë, ashtu si ne. Duhet të ndjekim rrugën tonë, pa menduar për të tjerët.