Në etapën e dytë dhe të fundit të kupës “Brahim Syka” tek kategoria juniorë nuk ka patur ndryshim tek fituesi në krahasim me atë të ditës së parë. është sërish i njëjti: Bruno Kola i Vllaznisë. Ndërkohë tek elita, fitues këtë herë është shpallur një tjetër çiklist i Apolonisë Altin Sufaj. Gara këtë rradhë ka patur një itinerar malor, atë Shkodër- Pukë- Shkodër. Kuptohet që më të rriturit në moshë, e kanë përshkruar të plotë këtë distancë ndërsa të tjerët, kthesën e kanë bërë në vendin e quajtur Gomsiqe. Natyrisht që për të dyja kategoritë, gara është bërë e bukur. Sa i takon asaj të juniorëve, që na malore është shkëputur një grup prej 8 çiklistësh ndër të cilët 6 kanë qenë të Vllaznisë, 1 i Teutës dhe 1 i Apolonisë.

Ato kanë pedaluar fuqishëm deri në Shkodër ku i pari në mbërritje e ka prerë finishin sërish Bruno Kola duke lënë në vend të dytë Aliajn e Teutës dhe në të tretin Canin po të Vllaznisë. Sa i takon elitës, në maloren e Pukës janë shkëputur tre sportistë megjithatë në mbërritje në Shkodër kanë ardhur me të njëjtën kohë dy çiklistët e Apolonisë Altin Sufaj dhe Marolino Hoxha ndërsa pas 3 minutash e gjysëm ka mbërritur edhe Olsion Veliaj i Tiranës që ka plotësuar kështu podiumin e kësaj etape. Në përfundim të etapës së dytë, Federata Shqiptare e Çiklizmit ka organizuar edhe ceremoninë e nderimit të sportistëve më të mirë për të dy ditët e kësaj kupe. Në fund, ndërkohë presidenti Skënder Anxhaku i ka dorëzuar një “Mirënjohje” protagonistit për të cilin u zhvillua kjo kupë, pikërisht mjeshtrit Brahim Syka i cili u ndje i emocionuar dhe falenderoi edhe njëherë organizatorët për këtë aktivitet me emrin e tij. Në këtë mënyrë kjo garë, e treta për këtë vit për çiklizmin shqiptar tregoi edhe njëherë tjetër se me juniorët është Vllaznia “që bën ligjin” ndërsa me elitën Apolonia nuk ka ndër mend për momentin të heqë dorë nga fitimi i çdo gare.
Fituesit e etapës së dytë, kategoria juniorë:
1.Bruno Kola (Vllaznia)        1h40’00”
2.Arjan Aliaj (Teuta)             + 1″
3.Kledison Cani (Vllaznia)        + 2″

Fituesit e kategorisë elitë:
1.Altin Sufaj (Apolonia)    2h13’04”
2.Marolino Hoxha (Apolonia)        +1″
3.Olsion Veliaj (Tirana)    2h16’45”
© shkodrasport.com