Çiklistët e Vllaznisë kanë bërë një tjetër paraqitje të mirë edhe në etapën e dytë të kupës “Mishel Cico” e zhvilluar ditën e sotme. Nga tre vendet e podiumit, dy prej tyre janë zënë pikërisht prej tyre teksa Bruno Kola është shpallur fitues i saj ndërsa Astrit Kronaj ka zënë vendin e tretë. Itinerari i kësaj etape të dytë ka qenë Korçë- Podgorije- Zvezdë-Zëmblak- Korçë, e gjatë 80 km.

Ajo është shoqëruar nga një ritëm i kënaqshëm ku gjatë gjithë kohës, kanë qenë shkodranët ata që ishin në krye të grupit. Pavarësisht ndonjë tentativë për shkëputje të Kolës së Vllaznisë dhe Gogës së Apolonisë, ata janë kapur nga grupi dhe të gjithë sëbashku kanë pedalur sëbashku deri në mbërritje. Në sprintin e fundit ka qenë Bruno Kola që është shkëputur nga të tjerët dhe është shpallur fitues i kësaj etape duke lënë në vend të dytë Amarildo Gogën e Apolonisë dhe në të tretin Astrit Kronajn po të Vllaznisë. Në fund të kësaj etape është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të diplomave dhe e kupës për fituesin e vendit të parë, të cilët janë dorëzuar nga familjarët e Mishel Cicos, kampionit të madh korçar për të cilin po organizohet kjo kupë.
Fituesit e etapës së dytë:
1. Bruno Kola      (Vllaznia)    
2. Amarildo Goga (Apolonia)
3. Astrit Kronaj     (Vllaznia)

© shkodrasport.com