Çiklisti i Vllaznisë Bruno Kola vetëm pak ditë pas suksesit në Rrethin Çiklistik të Shqipërisë ku zuri vendin e parë, sot ka arritur një tjetër. Këtë herë në Prizren të Kosovës. Ai ka zënë vendin e parë dhe ka merituar kupën në turneun-memorial “Shaban Shala”. Por jo vetëm kaq.
Një tjetër çiklist i Vllaznisë- Astrit Kronaj, është renditur i treti duke u ngjitur edhe ai në podium. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë rreth 60 çiklistë nga ekipe të ndryshme të Kosovës, të Maqedonisë por edhe të Shqipërisë. Nga vendi ynë, përveç Vllaznisë që u përfaqësua me 6 sportistë, kanë qenë edhe ekipet e Teutës, Partizanit dhe Tiranës.
. Gara ndonëse në një distancë të shkurtër, vetëm 28 km, ka qenë e gjitha malore. Ajo ka nisur në qendër të Prizrenit dhe ka përfunduar në pikën turistike të Sharrit, 1600 metra mbi nivelin e detit. Duke qenë një terren malor, kjo garë ka patur shumë vështirësi por çiklistët e Vllaznisë kanë dominuar. Në kilometrat e fundit është shkëputur një grup prej pesë sportistësh, nga të cilët kanë qenë Kola e Kronaj të Vllaznisë, dy maqedonas dhe Aliaj i Teutës. Rivaliteti mes tyre ka qenë i fortë dhe dy shkodranët ndonëse në moshë shumë të re, ende nuk i kanë mbushur 17 vjeç, kanë konkurruar me më të rriturit dhe në fund kanë triumfuar. Bruno Kola ndonëse finishi ka qenë malor, është treguar më i shpejti sërish duke triumfuar ndërkohë që Astrit Kronaj është renditur i treti ndër pjesmarrësit. Jo shumë larg grupit të parë ka qenë edhe çiklisti tjetër i Vllaznisë Sion Gjoka që ka zënë vendin e shtatë në renditjen e përgjithshme (të rinj dhe të rritur) ndërkohë që Gjergj Zefi ka mbërritur i nëntë në majë dhe jo shumë larg tij kanë qenë edhe dy çiklistët e tjerë shkodranë Kledison Cani dhe Alfons Rrashkadoli. Në këtë mënyrë, Vllaznia ka dominuar jo vetëm në renditjen individuale por edhe në atë ekipore duke u vlerësuar si ekipi më i mirë i kupës “Shaban Shala”. Ekipin në këtë aktivitet e ka shoqëruar edhe drejtori i Sportklub Vllaznia Mark Kroqi që ka përgëzuar çiklistët për suksesin e arritur.
© shkodrasport.com