Sukseset e dy viteve të fundit në të gjitha garat e zhvilluara në Shqipëri janë pasuar me një tjetër të arritur sot.
Ka ndodhur në etapën e parë të Turit Çiklistik të Shqipërisë për juniorë ku çikliistët shkodranë kanë dominuar sërish.
Bruno Kola dhe Astrit Kronaj janë shkëputur nga të tjerët duke ndarë mes njëri- tjetrit vendin e parë dhe të dytë ndërkohë që Defrim Dholla, një tjetër pjestar i Vllaznisë, është renditur i gjashti.
Duke folur në lidhje me fitoren e sotme, Bruno Kola do të shprehej kështu për “Shkodra Sport”:
“Etapa e sotme ishte shumë e vështirë dhe natyrisht që rivaliteti ishte i madh megjithatë ishim të vendosur për ta fituar atë. Për këtë arsye, unë bashkë me shokun tim të ekipit Astrit Kronaj jemi shkëputur nga grupi dhe për shumë kilometra kemi pedaluar të vetëm deri në finish.
Këtë falë përgatitjes që kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. Mbase për dikë mund të mos u pëlqejë, por Vllaznia po tregon sërish se është ekipi më i përgatitur edhe për këtë garë, ashtu siç ka qenë gjithnjë sidomos këto dy vitet e fundit.
Objektivi jonë padiskutim që është të vazhdojmë këtu dhe për të fituar deri në fund si në renditjen individuale ashtu edhe atë ekipore”.
Nga Pogradeci, Gjon Gjeka