Bujar Celufaj, trajner i futsallës së Vllaznisë ka qenë i ftuar së fundmi në Star Sport. Kreu i pankinës kuqeblu ka folur për ecurinë e ekipit të tij. Ai ka theksuar se tashmë skuadra është totalisht brenda objektivave dhe ndodhet në momentin më të zjarrtë të edicionit. Me ndeshjen e parë të play off në prag kundër Tiranës, ai shprehet shumë optimist se do e kalojë provën e vështirë ndaj bardhebluve.

Celufaj tha : “ Tani jemi në fazën më vendimtare të këtij sezoni. Siç e dini, ka pasur disa largime nga skuadra, ku kanë qene disa lojtarë të rëndësishem. Gjej rastin që ti falenderoj për kontributin e dhënë dhe i uroj suksese, pavarësisht se nuk e gjetëm gjuhën e përbashket per vijimin e sezonit.

Tirana? Janë skuadra që mund ti quaj “macja e zezë”. Na kanë mposhtur dy herë këtë edicion, por besoj se nuk i kemi merituar ato humbje. Kështu që do përpiqemi t’ja kthejmë reston tani në ndeshjet e play-off. Unë kam një ekip me djem të mrekullueshëm, të cilët ju përgjigjen plot dashamirësi dhe dëshirë ftesës sime në fillimin e sezonit.

Kështu që do ishte fantastike që pas 6 vitesh pushim Vllaznia e futsallës të fitonte titullin kampion. Unë besoj dhe jam i sigurt që në ndeshjen e së dielës që e kemi në kryeqytet, ne do e kalojmë provën e parë. Kemi një ekip plot kualitet që di ti perballojë sfidat dhe ne do të përpiqemi deri në fund për objektivin maksimal. Që është titulli kampion.“
Endri ÇINARI