Vuajtjet e Vllaznisë prej disa sezonesh kanë bërë që shumë sportdashës, specialistë apo edhe njerëz të tjerë të dalin në përfundimin që kjo skuadër të bjerë njëherë nga kategoria se kjo gjë do t’i zgjonte ata që kanë në dorë fatet e saj dhe të mendojnë për një zgjidhje përfundimtare për kalimin e saj tek privati. Por i këtij mendimi nuk është një emër shumë i njohur i muzikës popullore, Mjeshtri i Madh Bujar Qamili, i cili njëkohësisht është edhe një tifoz i madh i Vllaznisë. Në një prononcim të bërë gjatë emisionin “Star Sport”, ai është shprehur:
“Dikush kënaqet ndoshta që Vllaznia të bjerë nga kategoria. Unë kurrsesi jo. Madje, as e çoj ndër mend një gjë të tillë. Jam dakord që klubi të kalojë në duart e privatit tani që ajo është në Superligë dhe të fillojmë të mendojmë për një skuadër ndryshe.
Ka njerëz që mendojnë se duke kaluar futbollin tek privati, ato lekë do të shkojnë në favor të sporteve të tjera apo në investime të tjera dhe nuk e kanë shumë mendjen se çfarë do të bëhet me Vllazninë e futbollit. Kështu nuk duhet menduar sepse shkodranët jetojnë me sportin dhe me artin. Ideja është që të mblidhen të gjithë ata që kanë diçka në dorë dhe të gjejnë një zgjidhje përfundimtare për këtë ekip në mënyrë që shkodranëve t’u kthehet gëzimi duke e parë Vllazninë të fitojë”
© shkodrasport.com