I pranishëm në “Elbasan Arena” si tifoz i Vllaznisë për ta mbështetur finalen ndaj Apolonisë, Mjeshtri i Madh i këngës popullore Bujar Qamili përfundoi në tribunë duke dhënë medaljet dhe Kupën sepse presidenti i FSHF-së Armando Duka e deshi pranë. Më pas, ka zbritur në fushë dhe bashkë me vajzat kuqeblu ka kënduar këngën e Vllaznisë kampione që është shndërruar në hit.

Një këngë që në fakt nuk i shkon më për shtat tashmë vetëm Vllaznisë së femrave sepse ajo e meshkujve prej vitesh po lë shumë për të dëshiruar dhe jo vetëm që nuk bëhet fjalë për trofe të fituara, por rrezikon seriozisht edhe sivjet rënien nga kategoria.

Bujar Qamili duke folur për “Shkodra Sport” në lidhje me kupën e 7-të të Shqipërisë të fituar nga Vllaznia e femrave, do të thoshte se ai ekip e meriton për ta ndjekur jo vetëm deri në Elbasan, por deri në fund të Botës.

“Jemi kënaqur me të vertetë. Erdhëm nga Shkodra për të ndjekur ndeshjen e vajzave. Janë këto vajza që nuk të zhgënjejnë asnjëherë. Janë këto vajza që luajnë futboll bukur, këto vajza që meritojnë të ndiqen, jo vetëm deri në Elbasan, por deri në fund të Shqipërisë, pse jo dhe deri në fund të Botës.

U kënaqëm. Një pjesë e parë shumë e bukur, një rezultat i bukur. Një futboll i bukur, një futboll i sakrificës. Luajtën me gjithë shpirt, bravo ju qoftë! Meritojnë kampionat, meritojnë kupë. Fjalët më të mira kuptohet janë për trajnerët e ekipit, si dhe për presidentin zotin Matija, të cilin e kemi edhe mik.

Ju urojmë të gjitha të mirat! Sot për mua ishte një kënaqësi tjetër, sepse isha përkrah më të madhit të futbollit shqiptar, zotit Duka, i cili me ftesën e tij, më ftoi afër vetes, duke me dhënë kupen për t’ia dhuruar ekipit dhe këtë medalje të cilën ma dhuruan dhe mua. Faleminderit shumë!”
www.shkodrasport.com