Fitorja e 4-t radhazi dhe 11 pikë avantazh nga Schalke e vendit të dytë në pritje të sfidës që Leipzigu do të zhvillojë ndaj Herthës së Berlinit këtë të Dielë. Bayern Munich po shkon lehtësisht drejt fitimit të një tjetër titulli kampion në Bundesligë që do të ishte 6-ti rresht për bavarezët. Në Mercedes Benz Arena të Shtutgartit vendosi një gol i Thomas Muller në minutën e 79-të me bavarezët që nuk falën duke i bërë mbylljen më të mirë këtij viti.

Një meritë e padiskutueshme në këtë fitore të kampionëve të Gjermanisë shkon edhe për portierin Sven Ulereich i cili po e zëvendëson në mënyrën më të mirë kapitenin Manuel Neuer. Në sekondat e fundit të kohës shtesë prej 3 minutash Ulreich priti një penallti të akorduar nga gjyqtari pas ndërhyrjes së VAR, pasi i kuptoi krahun futbollistit nga Republika Demokratike e Kongos Akolo. Vijon momenti pozitiv për skuadrën e Jup Heynckes me Bayernin që u ngjit në kuotën e 41 pikëve në kampionat. Në sfidat e tjera Schalke 04 me dy gola në minutat e fundit nga Embolo dhe Naldo i hoqi fitoren nga duart Eintrachtit të Frankfurtit. Ishte një fundjavë barazimesh në Bundesligë në javën e fundit të fazës së parë pasi Augsburgu gjithashtu rikuperoi 2 gola në fund për të marrë një barazim 3-3 ndaj Freiburgut, ndërsa Mainzi me një tjetër gol në minutat shtesë ndali në një barazim 2-2 Werder Bremenin. Mori fitoren e parë në këtë sezon Kolni që mposhti 1-0 Wolfsburgun.