Pjesmarrja e nëntë në turneun e përvitshëm ndërkombëtar “Citta della Pace” që zhvillohet në Roveretto të Italisë ka konfirmuar edhe njëherë tjetër vlerat e futbollit shqiptar të moshave. Ekipet e “Atletik Klub Shkodra” vërtetë nuk janë shpallur fitues me ndonjë grupmoshë, megjithatë i kanë shkuar afër dhe kanë bërë paraqitje shumë të mira.

Drejtuesi i kësaj shoqate, Elton Bungaja, në një prononcim për “Shkodra Sport” shprehet: “Në fakt edhe ne jemi surprizuar nga paraqitja e ekipit U11 të Atletik që në mes 36 ekipeve nga 12 vende të botës arriti deri në finale dhe në fund u rendit në vendin e dytë.

Por edhe ekipi U15 bëri një paraqitje shumë të mirë duke pasë parasysh se janë një vit më të vegjël pasi janë të gjithë të ditëlindjes 2005 dhe kanë luajtur ndaj kundërshtarëve të ditëlindjes 2004 dhe u renditën në vend të katërt në mes 32 ekipeve pjesmarrëse.

Edhe ekipi U13 u paraqit mirë dhe kësisoj, pjesmarrjen e sivjetme dua ta konsideroj shumë pozitive. Unë falenderoj edhe prindërit e të gjithë fëmijëve që na kanë mbështetur dhe i kanë krijuar kushtet atyre për këtë pjesmarrje dhe po ashtu edhe agjensinë “Bledi Tours” për kushtet komode që na mundësuan në këtë udhëtim drejt Italisë.
© shkodrasport.com