Superiorja është futur në fazën më kulminante të saj, pasi skuadrat po bëjnë sprintin final për të arritur objektivat e tyre.

Një nga këto skuadra është Kukësi, kampionët në fuqi të vendit.

Skuadra e trajnerit Peter Pacult po dylufton fort me Flamurtarin për vendin e dytë, pasi skuadra e Skënderbeut është shumë larg, praktikisht e pakapshme.

Në këtë vorbull informacionesh, Eduasportin.com mëson një lajm të prodhuar së fundmi nga skuadra verilindore.

Burime të besueshme pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëjnë me dije se kontrata e sulmuesit Sindrit Guri është rinovuar dhe madje është depozituar në Federatë.

24-vjeçari, sipas kontratës së re, do të jetë futbollist i Kukësit deri në vitin 2020, pra u zgjat me dy vite të tjera.

Kontrata aktuale e Gurit mbaronte në fund të këtij sezoni, madje shkodrani e kishte deklaruar dhe vetë në intervistat që ka dhënë.

Sulmuesi shprehej se do të kërkonte një aventurë jashtë Shqipërie. Kjo zgjatje kontrate ka ardhur si “rrufe në qiell të hapur për të”, por sigurisht që ne nuk do të marrim përsipër të themi nëse shkodrani firmosi kontratën e re ose jo.

I sigurt është fakti se në skuadrën verilindore mund të lindë një tjetër situatë e ngjashme me siç ishte ajo me Allën, Koliçin dhe Eminin.

Palët nuk janë ulur ende për të diskutuar mes tyre. Se si do të shkojë kjo situatë nuk dihet ende, pasi gjithçka do të vendoset në fund të sezonit. /EDS/