Ndryshe nga ndeshja e kaluar mes Burrelit dhe Veleçikut të Koplikut e cila pati një goleadë, ndeshja e sotme pati vetëm një gol dhe disa raste të humbura. Matjanët vinin në këtë ndeshje me 4 mungesa, e megjithatë në minutën e 17-te iu jepet një rast ideal, ku Djepaxhia gjendet i vetëm me portierin Vjerdha, por duke shmangur këtë pengohet nga vetë portieri.
Për gjyqtarin kryesor të takimit, Fatjon Xhamalaj ka penallti. Gjuajtja do t’i besohej Kurbneshit i cili nuk gabo dhe shënon golin e vetëm të takimit. Miqtë patën një rast të pastër me Tomën i cili ishte i vetëm me Vuksanoviç por ky i fundit nuk lejon topin të prekë rrjetën.
Pjesa e parë mbyllet me këto raste. Në pjesën e dytë ndryshoi performanca por jo rezultati. Miqtë u panë më luftarak duke iu afruar disa herë zonës matjane. Megjthatë nuk mundën të vënë në vështirësi portierin Vuksanoviç.
Në minutën e 70 janë sërisht vendasit që tentojnë të dyfishojnë rezultatin me Djepaxhinë, por Vjerdha është i vëmendshëm. Në mbyllje të takimit, Lami godet fort nga larg, ndërsa topin e grushton Vuksanoviç. I gjendur aty pranë që në gjuajtje të Lamit, Denis Çokaj çon topin në rrjetë, por për gjyqtarin kryesor ishte në pozicion jashtë loje.
Në fushë pati tension, por me ndërhyrjen e zyrtarëve të klubeve respektive, gjithçka u qetësua. Për vonesë të lojës pas këtij rasti, gjyqtari kryesor Xhemalaj ndëshkoi me të kuqe Veliajn, por miqtë nuk patën mundësinë ta shfrytëzonin këtë rast pasi kishte mbetur vetëm një aksion, para se të mbyllej gjithçka Burreli 1 e Veleçiku 0.