Në analizën e djeshme të ekipit të Vllaznisë është mësuar se trajneri Bushati u ka bërë të ditur tre prej futbollistëve të ekipit se nuk janë në planet e tij për ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit. Bëhet fjalë për malazezin Ivan Deliç, kosovarin Ilir Nallbani dhe vlonjatin Halim Begaj. Ata do të mund të vazhdojnë stërvitjen pranë skuadrës deri në fund të muajit maj siç e kanë të shkruar në kontratë por kuptohet që nuk do luajnë. Justifikimi i këtij vendimi sigurisht që ka të bëjë me daljen e skuadrës nga objektivat dhe në kushte të tilla, pikësynimi i klubit është promovimi i ndonjë elementi të ri gjatë këtyre ndeshjeve të mbetura në mënyrë që të jenë të gatshëm pastaj për sezonin tjetër.

Zgjedhja e Bushatit duket e logjikshme por ajo që duhet të marrë përgjigje është nëse këta futbollistë do vazhdojnë të paguhen sipas kontratave apo do ketë ndonjë marëveshje me ta për ta mbyllur para kohe atë. E sigurtë është që këta tre futbollistë nuk janë në planet e Vllaznisë për sezonin tjetër. Në këtë mënyrë, shkon në 6 numri i futbollistëve të ardhur në merkaton e verës në prag të këtij sezoni, që tashmë nuk janë më pjesë e Vllaznisë duke fillur me Osmanin e Hysën që u larguan në janar, më pas Semina dhe tashmë Deliç, Nallbani e Begaj. Të vetmit që kanë “shpëtuar” deri në këto momente janë Tafili, Shtubina, Beqiri, Rexha, Dragoi e Shkjau.
www.shkodrasport.com