Vllaznia ka udhëtuar dje drejt Korçës me objektiva të qarta për të mos u kthyer pa pikë. Trajneri I saj Artan Bushati që debuton pikërisht në këtë takim, në prononcimin e tij ka bërë të qartë se kuqeblutë nuk shkojnë thjeshtë për të vizituar Korçën por për të treguar karakterin e vërtetë të Vllaznisë. Nga ana tjetër, ish-trajneri I Shpresa që tashmë do drejtojë skuadrën e qytetit të tij të lindjes, ka bërë të qartë se edhe me një barazim do të ishte I kënaqur në këtë ndeshje.
Ja intervista e plotë me trajnerin Artan Bushati:
-Bushati, sfida e parë zyrtare pikërisht ndaj Skënderbeut. A është e gatshme Vllaznia për ta përballuar me sukses këtë sfidë?
-Për asnjë trajner nuk është komode ta nisë punën duke u ndeshur me skuadrën kryesuese të kampionatit dhe për më tepër në transfertë. Por gjithsesi gjatë kësaj periudhe kemi punuar për të marrë maksimumin e mundshëm me kontigjentin e lojtarëve që kemi patur në dispozicion. Synimi jonë është që kjo ndeshje të mos jetë thjesht një vizitë në Korçë port ë tregojë karakterin e ekipit të Vllaznisë dhe për rezultatin mendoj se ndeshja është e hapur sepse asnjëri nuk e fillon luftën për të humbur. Shkojmë në Korçë për të dhënë më të mirën e mundshme dhe në bazë të asaj që do japim në fushë, do kërkojmë të marrim diçka nga kjo ndeshje.
-Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë nisur edhe nga fakti se do keni mungesa apo jo?
-Ekipi ka nevojë për të gjithë lojtarët por ndoshta s’ka nevojë për asnjë. Lojtarë të pazëvendësueshëm nuk ka por vlerat e çdo individi janë të domosdoshme në ekip aq më tepër kur flitet për lojtarë si portieri Vujadinoviç, Beqiri apo dhe Deliç deri diku të cilët janë lojtarë që kanë kualitete. Deliç megjithatë do udhëtojë me skuadrën dhe mungesat e sigurta do jenë ato të Vujadinoviç e Beqirit.
-Ky është starti juaj me Vllazninë në një ndeshje zyrtare. Shpresoni ta nisni me këmbë të mbarë?
-Të shpresojmë. Ne si trajnerë apo dhe futbollistët bëjnë maksimumin në seancat stërvitore për të arritur qëllime të caktuara pastaj vijnë ndeshjet që të shpërblejnë punën e bërë. Ndeshjet miqësore që zhvilluam krijuan një klimë optimiste rreth skuadrës por këtë duhet ta tregojmë edhe në ndeshjet zyrtare.
-Do të ishit I kënaqur edhe me një barazim në Korçë?
-Për momentin që po kalojmë, do të isha I kënaqur edhe me një barazim. Gjithsesi loja është e hapur dhe ne nuk mund t’I themi “jo” edhe trepikëshit.
-Por në mendjen e tifozëve shkodranë është ende ajo fitore e Skënderbeut 3-1 në Shkodër fazën e parë. Mund të ketë revansh?
-E kam parë atë ndeshje me vëmendje dhe mund t’u them se deri në minutat kur u bë goli I parë I Skënderbeut, Vllaznia po luante shumë mirë. Pas këtij momenti loja devijoi. Që do të thotë se në futboll një fragment loje mund të vendosë për shumë gjëra.
-z. Bushati, a keni ndonjë reagim në lidhje me ngjarjet e fundit të përfshirjes së Vllaznisë në hetimet e Europolit për trukimin e ndeshjeve?
-Unë jam tekniku I kësaj skuadre, madje I sapoemëruar. Mendoj se nuk më takon mua të prononcohem për këtë temë, janë instancat administrative të cilat mund të japin shpjegime më të sakta për këtë problem.
Gjergj KOLA