Ditën e diel, në orën 16:00, të gjithë sytë e botës, do të jenë te finalja, Argjentinë-Francë. Një duel emocionues që pritet të dhurojë spektakël në fushën e lojës. Në lidhje me këtë përballje, foli edhe trajneri i Kombëtares Shpresa, Alban Bushi.

I ftuar në studion e emisionit “Qatar N’24”, të moderatores Enxhi Biba, në “News 24”, Bushi ndër të tjera u shpreh:

Finalja Argjentinë-Francë – Futbolli është gjenetik. Kemi dëshirë ta fitojë Mesi, pasi na ka emocionuar gjithë këto vite. Argjentina ka Mesin, nuk ka asgjë më shumë se Franca. “Gjelat” janë më solidë, ka lojtarë më cilësorë. Ata kanë edhe Mbapenë, nuk është si Mesi, por Franca ka ekipin dhe trajnerin. Argjentina e ka të ri pa shumë eksperiencë. Kjo bën diferencën shumë.

70% e botës do që të fitojë Mesi. Franca ka qenë më pragmatiste, por nuk ka bërë ndonjë futboll kushedi se çfarë. Por kur duan e bëjnë, e fitojnë ndeshjen. Franca ka shumë alternativa. Gjithsesi mungesat janë problem për çdo ekip.

Maroku- Maroku nuk mund të bëjë më mirë se kaq. Njerëzit sterviten dhe zhvillohen. Nuk do e lenë skuadrat e tjera, pasi do rikthehen Gjermania dhe shumë ekipe të mëdha. Çdo kush mëson, marokenët janë një shembull për t’u ndjekur. Këto ekipe të vogla nuk mund të bëjnë ndryshe, pasi nuk kemi Messin që t’i driblojë të gjithë dhe të realizojë”, u shpreh Alban Bushi.