Alban Bushi nuk e priste një humbje me rezultatin 0-3 ndaj Anglisë, e madje ai nuk ngurron që t’i bëj elozhe skuadrës së tij. Sipas Bushit, djemtë zbatuan detyrat edhe pse përballë patën një nga ekipet me më shumë kualitete dhe nga më të fortat e kompeticioni.

“E dinim që kishim një kundërshtar shumë të fortë. E përgatitëm këtë ndeshje që të mbroheshim mirë dhe t’i kapnim në kundërsulm. Krijuam raste me Kallakun dhe Kolajn, por nuk ja arritëm. Në një farë mënyrë ja dolëm, duhet që të ishim shumë të kujdesshëm.

Në pjesën e parë ja arritëm dhe Anglia nuk pati asnjë rast. Madje tentuan me goditje standarde edhe për këtë i kisha porositur lojtarët, – tha Bushi fillimisht

Strategjia

Bushi  foli edhe për masat që kishte marrë ai dhe stafi për të mos pësuar goleadë, por që në fakt nuk ja doli. “Ne i kishim marrë masat që të mos pësonim gol edhe nga goditjet standarde. Nuk diskutohet që Anglia ishte Superiore gjatë gjithë lojës. Dhamë më të mirën, por kjo më bën optimist dhe kam besim se me ekipet e nivelit tonë ne do të marrim rezultate pozitive”.

Mungesat

Sipas trajneri të U-21, në disfatën e sotme kanë ndikuar edhe mungesat e disa lojtarëve të piketuar si titullarë. “Vrioni dhe Mucolli të dëmtuar. Na mungoi edhe Selmani. Edhe dy lojtarë janë te U-19.

Por, unë në përgjithësi jam i kënaqur. Nuk janë tërë ekipet si Angli, Gjermani apo Holandë. Ne do të punojmë dhe do të luajmë për fitore në çdo ndeshje, në mënyrë që këta djem të rinj të japin më të mirën dhe të tregojnë cilësitë e tyre më të mira”.

E ardhmja

Bushi flet edhe për të ardhmen dhe strategjinë që ai ka me skuadrën apo elementët e rinj që ka nën vëzhgim për t’i afruar në ekipin U-21. “Objektivi kryesor është që të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe të marrim sa më shumë pikë me kundërshtarë të nivelit tonë.

Ne sot kishim shtatë lojtarë të datëlindjes 2000, kurse kundërshtari ishte shumë më i fortë dhe me tërë ekipin sepse e kisha studiuar. Jam i kënaqur, sepse edhe lojtarët që janë në moshë të vogël po bëjnë mirë dhe në edicionin e ardhshëm besoj se lojtarët do të jenë më të përgatitur”, – tha trajneri i U-21 Alban Bushi./Vipsport/