Ish-futbollisti i Shqipërisë, Alban Bushi, e sheh ndeshjen Spanjë-Gjermani si një finale të parakohshme. Në emisionin “Kampionët” në Tv Klan, ai tha se donte që këto dy ekipe të ishin në finale.

“Mendoj që këto dy ekipe doja t’i shihja në finale. Do ishte finale e bukur sepse më kanë impresionuar në lojën e tyre që kanë bërë”, tha Bushi.

Sipas tij, Gjermania vjen me një filozofi ndryshe nga stili i saj. Po ashtu, edhe Spanja sipas tij është më ndryshe nga sa jemi mësuar.

Pavarësisht se sheh “Iberikët” si shumë të fortë, Bushi gjithsesi mendon se Gjermania është më e favorizuar në këtë ndeshje.

“Gjermania është e favorizuar për dy arsye. Një sepse luan në shtëpinë e saj, dhe dy sepse e tha Lehman shumë mirë që Spanja është shumë e re. Për momentin janë lojtarë shumë të mirë, luajnë shumë bukur, por eksperienca ka të bëjë në këto lloj kompeticionesh”, tha Bushi./tvklan.al