Opinion nga Leonard KARAJ

Buxheti i Vllaznia sha.a për sezonin 2012-2013 është vetëm 450 milionë lekë (të vjetër). Kjo shumë është projektuar nga kryetari i bordit mbikëqyrës të shoqërisë aksionere, Ritvan Troshani, njëkohësisht edhe nënkryetar i këtij institucioni, së bashku me ish-administratorin Kujtim Shaba dhe është miratuar në Këshillin Bashkiak të Shkodrës që në fillim të sezonit. Nëse e vëren me kujdes, pa u munduar shumë për ta krahasuar këtë me rivalët e Vllaznisë (Skënderbeu, Flamurtari, Tirana), vetvetiu të lind pyetja: si është e mundur që në Shkodër deklarojnë si objektiv titullin kampion dhe trofeun e kupës? Si është e munduar që Vllaznia pretendon kur një rival direkt si Skënderbeu ka një buxhet prej 1 milion eurosh (e njëjta shifër edhe për Flamurtarin)? Në fakt ekzistojnë edhe skuadra, të cilat me buxhete të tilla kanë bërë sezone mjaft të mira, dhe rasti më ideal është ai i Teutës, por nuk duhet harruar se durrsakët kanë qenë thuajse gjithsesi në këto nivele, duke u mbështetur më së shumti te lojtarë të rinj, me rroga të ulëta. Tjetër gjë Vllaznia, klub që ka shpenzuar gjithnjë ndër vite (ashtu sikundër edhe ka përfituar) për të ndërtuar një skuadër sa më të denjë për emrin që mbart. Sakaq, drejtuesit kanë implementuar edhe një strategji tejet negative, duke mos arritur të joshin qoftë edhe një biznesmen të vetëm, natyrisht duke nxjerrë në treg edhe aksionet. Sot për sot, paçka se në Shkodër nuk mungojnë investitorët, ata që e shohin futbollin edhe si një biznes, sikundër në gjithë botën, përsëri nënkryetari z.Troshani thekson se nuk ka asnjë interes për blerjen e aksioneve të klubit. Në këtë këndvështrim, Vllaznia sh.a është e destinuar të mbledhë kacidhet nga shitja e biletave (edhe ky për hir të së vërtetës një tregues në rënie, për shkak të bojkotit të tifozëve) dhe të presë ato pak parà (60-70 mijë euro), që vijnë nga e drejta televizive e kampionatit. Kjo është Vllaznia që pretendon trofe, paçka se në organikën e saj, lojtari më i paguar nuk përfiton më shumë se 30-35 milionë lekë, shumë kjo shumë herë më e vogël në krahasim me lojtarët që luajnë te Skënderbeu, Flamurtari apo Tirana.