Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, organizoi një mbledhje ditën e sotme, me Federatat e Sportit në Shqipëri, ku u diskutua për buxhetin e sportit, që është ulur në 750 milionë lekë. Në mbledhje u kërkua një reflektim nga qeveria dhe si zgjidhje u propozua hapja e basteve sportive, me lekët që do të shkonin për buxhetin e sportit.

Erlind Pëllumbi, presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, në fjalën e tij, tha se po të jenë të gjithë të bashkuar, mund t’ia dalin.

U bë një kohë e gjatë, që ne kur vjen muaji nëntor apo dhjetor, na kapin ethet, sepse nuk e dimë nëse do të kemi mundësi të përfaqësohemi apo jo. Nëse ne arrijmë të jemi të bashkuar, jam i bindur që të gjitha pengesat do i kalojmë. Kemi përfaqësuar Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare ku kemi marrë edhe medalje. Nëse na japin më shumë mbështetje, mund të arrijmë më shumë suksese.

Elez Gjoza, president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, u shpreh se Shqipëria duhet të hapë bastet sportive dhe të jetë me ligj, që përqindja të shkojë për buxhetin e federatave të sportit.

Kompanitë e basteve që kanë qenë të hapura, pranë gjimnazeve, poshtë shkollave dhe banesave tashmë të jenë të formalizuara. Ajo përqindja që do i kaloja federatave, do jetë e mjaftueshme. Kjo nuk do bëhet me VKM, por me ligj, të kalohet në parlament. Unë jam i sigurt, që nëse të gjithë firmosim peticionin. Ne jemi të gjithë bashkë si asnjëherë më parë. Qeveria duhet të na rrijë në gatishmëri.

Ne jemi ata që ngremë flamurin shqiptar. Kryeministri duhet të jetë i vëmendshëm me pushtetin vendor. Bashkitë janë ato që ndërtojnë sportin dhe terrenet. Vetëm autoriteti i kryeministrit mund të bëjë që bashkitë të rikthejnë vëmendjen nga sporti. Ministrja të ngulë këmbë që buxheti të 3fishohet. Nuk është Kosova më mirë se në nga gjendja ekonomike. Është buxhet i turpshëm për Shqipërinë.

Sahit Prizreni, president i Federatës Shqiptare të Mundjes, u shpreh se të gjitha aktivitetet ndërkombëtare ata i kanë organizuar me para nga xhepi.

Të gjitha aktivitetet Federata e Mundjes i ka organizuar me para xhepi. Nëse do të ishte për shtetin, Federata e Mundjes nuk do i kishte këto medalje. Kjo shpresoj të jetë si këmbanë alarmi për shtetin shqiptar. Jemi komuniteti më i harruar nga shteti shqiptar. Kjo e jona është një situatë qesharake.

Gjergj Ruli, presidenti i Federatës Shqiptare të Alteikës, si zgjidhje tha që bizneset në Shqipëri, të japin një kontribut për sportin.

Sporti është i përçmuar në këtë moment që ne jemi mbledhur. Ne duehet të jemi të bashkuar, për të ndihmuar këta sportistë. Mundësitë ekonomike në Shqipëri janë shumë të mëdha. Shqipëria ka 166 mijë biznese të regjistruara. Në vendet e tjera, bizneset paguajnë kontribut për sportin. Sikur të gjithë bizneset në Shqipëri të paguanin nga 50 euro, do ishim shumë lart. Rrit çmimin e cigares, merr miliona. Shteti mund t’i gjejë fondet për të ndihmuar sportin.

Presidenti i Federatës së Boksit, Florend Kalivopulli, tha se ka marrë oferta për të organizuar evente në Shqipëri, por u shpreh se nuk i ka pranuar.

Më vjen turp që kam disa oferta nga ndërkombëtarët, që të bëj një aktivitet në Shqipëri dhe nuk e marr përsipër. Shkojmë në aktivitetet ndërkombëtare me lekët tona. Ta sensibilizojmë sa më shumë qeverinë, për këtë gjendje ku ndodhet sporti shqiptar.

Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku, u shpreh se problemi më i madh është udhëzimi dhe mbështetja e pushtetit vendor

Problemi më i madh është udhëzimi dhe mbështetja e pushtetit vendor. Nëse i rregullojmë këto, do të jemi shumë mirë.