Gëzim Krasniqi do të mbush boshllëkun e krijuar nga largimi i Albi Allës dhe Rustem Hoxhës. Të dy mbrojtësit e qendrës e mbyllën aventurën me nënkampionët e vendit, duke dalë futbollist të lirë.
Prezantimi i tij është thjeshtë çështje orësh, pasi palët kanë gjetur marrëveshjen. Klubi i Kukësit ka ndryshuar shumë në këtë merkato, me trajnerin Armando Cungu, që nuk është i kënaqur me afrimet.
Krasniqi, vjen pas një eksperience të konsiderueshme në Kategorinë Superiore duke luajtur për Besën, Partizanin dhe Flamurtarin. Gjithashtu në sezonin e fundit 28-vjeçari përjetoi edhe një eksperiencë jashtë vendit, në Maqedoni te Rabotnichki.
Krasniqi pritet të luajë në qendër të mbrojtjes sëbashku me kapitenin Ylli Shameti, por rivaliteti është i madh, pasi verilindorët kanë nënshkruar edhe me Ardian Cuculin.
31-vjeçari ka një eksperiencë të madhe, ndërsa më herët ka luajtur edhe në Kategorinë Superiore duke veshur fanellën e Partizanit, përpara se të bashkohej me Shkëndijën e Tetovës.
Afrimi i Krasniqit do të ishte një vlerë e shtuar për trajnerin Cungu, që kërkon lojtarë të fortë për të ndërtuar një skuadër kompetitive.
Kukësi është një nga ekipet që ka ndryshuar më shumë në këtë merkato, por shkodrani sërish kërkon përforcime të tjera dhe këtë e tha hapur edhe pas ndeshjes së parë në Superiore kundër Laçit, ku kuksianët nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1. Me afrimin e Krasniqit, dëshira e Cungut është një mesfushor, por mbetet të shihet se sa do t’i realizohet. /EDS/