Etrit Berisha mund të jetë zgjedhja e Kristian Panuçit për ndeshjen miqësore kundër Jordanisë, por pakkush ka dyshime se Thomas Strakosha do të jetë në fushë për duelin zyrtar ndaj Izraelit.
Harrojini pasiguritë ndaj Skocisë, apo edhe një paraqitej jo shumë të mirë në derbin e Romës, portieri ka lënë shpejt pas atë periudhë dhe është kthyer vendimtar për ekipin e tij.
Berisha do të zbresë në fushë ndaj Jordanisë pasi ka nevojë që të luajë disa minuta, siç e ka shprehur edhe vetë Panuçi i cili ka vendosur ta përdorë këtë takim për të parë gjendjen fizike të atyre që nuk luajnë rregullisht me klubet e tyre.
Por me Izraelin, mes shtyllave do të jetë përsëri Strakosha, i cili e ka treguar se e meriton këtë vend duke u shfaqur thuajse i pagabueshëm në kampionatin italian, me prova të dhëna më së miri edhe në duelin e parë ndaj Izraelit.
Ndaj Fiorentinës, në javën e fundit, ishte ndër më të mirët në fushë, siç tregohet qartësisht nga notat që i kanë vënë mediat kryesore sportive në Itali: 6 – Gazzetta Dello Sport; 7 – Correire Dello Sport; 7 – Il Tempo; 6,5 – Il Messagero; 6,5 – La Repubblica.
Në Itali, tifozët kanë filluar ta quajnë prej kohësh “saraçineska” e Lacios dhe Strakosha duket se po vërteton javë pas jave se është i tillë, siç e ka pranuar edhe një nga emrat e mëdhenj të portës italiane, Luka Markexhani, pas ndeshjes me Fiorentinën.
“Lacio rrezikoi dhe u tregua i aftë Strakosha në dy situata të krijuara”. Aspak keq, po të mendosh se janë thënë nga një ishs-portier i cili ka veshur për 243 ndeshje fanellën e Lacios. /vipsport/